Botë
Erdogan: Nuk gjunjëzohemi përballë terroristëve
29.08.2016 12:56
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka komentuar rreth ofensivës së ushtrisë turke në Siri, e cila ka nisur javën e shkuar...

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka komentuar rreth ofensivës së ushtrisë turke në Siri, e cila ka nisur javën e shkuar, duke u shprehur se vendi i tij nuk është dorëzuar dhe nuk do të gjunjëzohet asnjëherë përballë organizatave terroriste.
Erdogan theksoi se gjatë sulmeve nuk janë prekur qytetarët civilë, duke shtuar se për këta të fundit ushtria do të dërgojë edhe ndihma humanitare.
“Turqia nuk do të gjunjëzohet përballë kërcënimit terrorist. Do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të pastruar këtë rajon nga organizatat që mbështesin dhunën. Sa i përket qytetarëve të thjeshtë, ata janë evakuuar përpara nisjes së sulmeve. Do të japim të gjithë mbështetjen për personat që do të duan të rikthehen në qytetin Jarablus, si dhe do t’i ndihmojmë ata me ndihma humanitare”,- deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Nëse do të ndihet e kërcënuar, Turqia do të marrë përgjegjësi edhe në rajone të tjera, deklaroi Erdogan. Kjo deklaratë vjen si kundërpërgjigje ndaj qeverisë siriane, e cila e konsideroi futjen e tankeve turke në Siri si një cenim të sovranitetit.
Megjithatë, sipas Erdoganit, ky ishte një veprim i pashmangshëm në kushtet kur militantët kurdë dhe ekstremistët e “Shtetit Islamik” po sulmonin vazhdimisht në rajonin juglindor të Turqisë.
Përgjatë muajve të fundit, kjo zonë ka qenë mjaft e destabilizuar për shkak të shpërthimeve të njëpasnjëshme me bombë.
AMIR DURAKU
