Maqedoni
Besimi tek institucionet, analistët: Ka humbur në tërësi
29.08.2016 13:30
Institucionet shtetërore ka kohë të gjatë që nuk gëzojnë besimin e qytetarëve, të cilët vlerësojnë se në veprimtarinë e tyre...

Institucionet shtetërore ka kohë të gjatë që nuk gëzojnë besimin e qytetarëve, të cilët vlerësojnë se në veprimtarinë e tyre të përditshme nuk ekziston etikë e punës dhe moral institucional. Kështu vlerësuan të pranishmit në debatin “Morali publik dhe vlerat e demokracisë në Maqedoni”.
Analistët politikë vlerësojnë se aktualisht pushteti gjendet në majë të hierarkisë dhe kjo të kujton totalitarizmin. Qytetarët, sipas tyre, janë në rend të dytë dhe kjo i bën ata të mos u besojnë institucioneve.
“Ka një kohë pak më të gjatë prej kur besimi tek institucionet në Maqedoni është lëkundur rrënjësisht dhe me vetë faktin e krijimit të institucioneve Ad-hok, siç është Prokuroria Speciale, tregohet se qytetarët faktikisht nuk kanë besim tek institucionet e rregullta dhe kjo është një problem shumë i madh për realizimin e demokracisë dhe funksionimin e demokracisë në një vend”,- deklaroi profesoresha universitare, Besa Arifi.
“Në këtë lloj të ri të moralit të politikës, me rëndësi është shteti dhe shteti është mbi të gjitha, kurse qytetarët janë vetëm për t’u radhitur pas sistemit të shtetit”,- tha analisti politik, Sasho Ordanovski.
“Parimisht, edhe në politikë ka moral. Për fat të keq, ne gjendemi në një kaos të përgjithshëm, ku morali më nuk është vlerë, anti-morali përkundrazi është vlerë, ku gjithë institucionet janë personalizuar, janë të privatizuara, ku krimi i organizuar është ai i cili menaxhon me fatin dhe jetën e njerëzve ,dhe përsëri ata të cilët qëndrojnë pas sjellin moral dhe arsyetojnë me njëfarë morali publik. Pra, morali derisa çohet në qiell, kurse bartësit e moralit qëndrojnë në nëntokë, kjo është e gjithë filozofia e cila na ka sjellë deri në kaos”,- theksoi analisti politik, Mersel Bilalli.
Të pranishmit thanë se përveç strukturave shtetërore, një ndër faktorët tjerë për mosekzistimin e moralit politik janë edhe vetë qytetarët të cilët, sipas tyre, nuk dinë të mbrojnë dinjitetin, interesat, fatin e familjeve dhe fëmijëve të tyre.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
