Botë
Kosovë, granatë dore në shtëpinë e drejtorit të RTK-së
29.08.2016 15:22
Persona të panjohur kanë sulmuar me granatë dore shtëpinë e drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala....

Sulmi ka ndodhur në kohën kur në shtëpi ka qenë familja e tij. Shpërthimi ka shqetësuar familjen Shala dhe fqinjët përreth, por nuk ka pasur të lënduar.
“Rreth orës 22 e 10 min. është dëgjuar një shpërthim jashtëzakonisht i fuqishëm mbrapa shtëpisë sime në kohën kur isha duke e përgatitur një raport. Shpërthim i cili shqetësoi jashtëzakonisht anëtarët e familjes, fëmijët dhe fqinjët përreth, menjëherë njoftova policinë, erdhën në vendin e ngjarjes”,- deklaroi drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë përsipër Lëvizja “Rugovasit”. Sipas tyre, ky sulm ishte vetëm paralajmërim, ndërsa kanë thënë se nëse Shala nuk jep dorëheqje nga RTK, jeta e tij është në rrezik.
“Ai njeri e ka bërë RTK-në televizion që mban vetëm anën e Qeverisë. Në RTK nuk po flet opozita që është kundër Demarkacionit. Sidomos nuk po flet Vetëvendosja, të cilës ky njeri ia ka ndaluar edhe intervistën”,- thuhet në reagimin e tyre.
“Rugovasit” i kanë bërë thirrje Qeverisë që t’i marrë seriozisht dhe të mos e bëjë Demarkacionin me Malin e Zi.
Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës dënuan sulmin, duke ftuar organet kompetente që të ndriçojnë rastin e të nxjerrin kryerësit e tij para drejtësisë.
Ka reaguar edhe Sindikata e të punësuarve në RTK si dhe partitë politike, të cilët dënojnë ashpër sulmet ndaj medias dhe gazetarëve.
“Rugovasit” e kanë marrë përgjegjësinë edhe për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, si edhe sulmin e para një jave tek objekti i RTK-së.
GYLTENE SINANI
