Familja Rushiti pa shtëpi pas vërshimeve, ndihmo në: 072 620 318
Një shtëpi e vogël dydhomëshe ishte e vetmja pasuri që posedonte para vërshimeve familja Rushiti.
Ajo u shkatërrua gjatë vërshimeve por prishja e hstëpisë nuk është e vetmja brengë e kryefamiljarit Jonuz Rushiti.

Një shtëpi e vogël dydhomëshe ishte e vetmja pasuri që posedonte para vërshimeve familja Rushiti.
Ajo u shkatërrua gjatë vërshimeve por prishja e hstëpisë nuk është e vetmja brengë e kryefamiljarit Jonuz Rushiti.
Ai ka një djalë 17 vjeçar, i cili është operuar disa herë prej zemrës dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Me gjitha hallet që kishin edhe para vërshimeve, tani kanë mbetur edhe pa shtëpi, duke u endur lartë e poshtë nëpër konvikte studentore.
“Ne jemi pesë anëtarë, i kam tre vajza dhe një djalë. Djalin e kam të sëmurë prej zemrës. Ai është atje te banesa, na kanë dhënë një dhomë atje te studentët në Autokomandë dhe shtëpia më është dëmtuar e gjitha, shtëpia nuk ka asgjë më. Është çarë komplet, është krisur, janë thyer me dollape, me dyer. S’mundet të jetohet në atë shtëpi, duhet ta prishim dhe ta ndërtojmë nga fillimi. Unë nuk kam mundësi ta ndërtoj nga fillimi, se jam me ndihmë sociale dhe djalin e kam të sëmurë prej zemrës. Një dhomë na e kanë dhënë me katër krevate, bile dy veta me një krevat flemë”,- deklaroi kryefamiljari, Jonuz Rushiti.
Operacionet e njëpasnjëshme nuk ia përmirësuan gjendjen djalit të tij, por ai ka nevojë vazhdimisht për përkujdesje dhe trajtim mjekësor për të mbetur gjallë. Edhe Jonuzi është rrëzuar për toke pas vërshimeve, as ai dhe as bashkëshortja nuk gëzojnë shëndet të plotë për të rinisur një jetë të re.
“S’mundet ashtu, s’mundet, prej këtu e këtu është i çarë, i premë, gruaja e sëmurë prej diabetit, prej tensionit... Nuk kam mundësi, deri tani gjithçka kam bërë vetë. Jo, s’mund të punoj më, edhe unë jam i sëmurë prej diabetit, a e sheh duart si më janë enjtur, me këmbë e me të gjitha. Unë s’mundem dy minuta të rri në diell, e lëre më gjithë ditën”,- thotë ai.
Ata jetojnë me një ndihmë sociale dhe të gjitha të holla i harxhojnë për barnat të cilat i nevojiten djalit.
“Si të keni mundësi të na ndihmoni, ose shteti, ose kush të mundet të na ndihmojë, faleminderit, por nëse prapë nuk mundeni, prapë faleminderit. Unë mundësi s’kam të ndërtoj shtëpinë pa më ndihmuar dikush. Unë jam me ndihmë sociale, 50 euro i marr në muaj. A me 50 euro vetëm ilaçe djalit i blej”,- theksoi kryefamiljari, Jonuz Rushiti.
Ai thotë se gjithmonë në jetën e tij është përpjekur i vetëm të tejkalojë sfidat me të cilat është përballuar, por pas përmbytjeve, detyrohet të kërkojë ndihmën e të gjithë atyre që kanë mundësi, që së paku të mos ngelet rrugëve me të gjitha hallet që ka. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
