Shipkovicë, ARM minon katër shkëmbinj, banorët kërkojnë ndërtimin e urës
Në fshatin Shipkovicë të Tetovës, ARM bëri minimin e katër shkëmbinjve të mëdhenj....

Në fshatin Shipkovicë të Tetovës, ARM bëri minimin e katër shkëmbinjve të mëdhenj, të cilët rrezikonin seriozisht banorët e zonës.
Shkëmbinjtë erdhën me vërshimet, por banorët nuk arritën t’i shkatërrojnë vetë dhe kërkuan ndihmën e ushtrisë. Ekipet e ARM-së nuk do të mjaftohen vetëm me minimin e shkëmbinjve, por do të punojnë me banorët e zonës edhe për pastrimin e terrenit.
“Pas eksplodimit, gjegjësisht minimit të gurëve, do të bëhet edhe pastrimi i këtij terreni, i cili në kohë reshjesh gjithashtu paraqet rrezik potencial për bllokimin e rrugës”,- deklaroi zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti.
Por me gjithë heqjen e një rreziku kaq të madh, banorët edhe më tej janë të revoltuar. Sipas tyre, nuk mjafton vetëm thyerja e gurëve, por urgjentisht duhet të ndërtohet edhe ura dhe të pastrohen shtretërit e përrenjve, pasi me çdo reshje të re, rruga, sipas tyre, përsëri do të bllokohet.
“Nuk mjafton vetëm thyerja e gurëve, duhet të ndërtohet edhe një urë. Më kryesorja është ura që të ndërtohet këtu, sepse në vitin e ardhshëm ose në vjeshtë po të bjerë shi i madh, prapë do të bien vërshime, prapë rruga do të zihet. Pa urë këtu nuk bëhet asgjë momentalisht”,- u shpreh një qytetar.
Ministria e Pushtetit Lokal, ndërkohë, paralajmëron nënshkrimin e marrëveshjes me UNDP-në për ndërtimin e digave mbrojtëse në rrjedhën e lumit Shkumbin në vendet e cilësuara si problematike. (Fetije Qaili, TVM2)
