Gjendja e sigurisë është stabile, s’ka rrezik nga kriza me refugjatët dhe nga terrorizmi

29.08.2016 18:01

Maqedonia nuk ka ndonjë rrezik të posaçëm nga kriza me refugjatët....

Maqedonia nuk ka ndonjë rrezik të posaçëm nga kriza me refugjatët dhe kërcënime terroriste, por rreziku ekziston si për të gjitha vendet e tjera të Evropës dhe botës.

Drejtuesit e shërbimeve të zbulimit kanë raportuar para Komisionit Kuvendor për mbikëqyrje se po ndjekin situatën në vend, me kujdes, në aspekt të krizës me refugjatë dhe kërcënimeve nga terrorizmi.

“Personat përgjegjës të këtyre dy institucioneve shprehën bindjen se po ndiqen të gjitha kërcënimet. Por, ne theksuam se nuk është e mjaftueshme vetëm të ndiqen aktivitetet dhe rreziqet, por duhet të ndërmerren masa më intensive për të penguar dhe neutralizuar rreziqet e mundshme”,- tha kryetari i Komisionit, Hari Llokvenec.

Komisioni për mbikëqyrje mbi punën e Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim dhe Agjencisë për zbulim, me nismë të opozitës maqedonase, kërkoi informatë nga institucionet përkatëse për gjendjen rrjedhëse të sigurisë në Republikën e Maqedonisë në lidhje me krizën e refugjatëve dhe kërcënimet e mundshme nga terrorizmi.

Sipas kreut të Komisionit, nisma u ndërmor për shkak të deklaratës së kreut të shtetit, Gjorge Ivanov, i cili, sipas tyre, ka mbjellë frikë në opinion për kërcënime reale nga kriza me refugjatë dhe terrorizmi.

Seanca u mbajt pas dyerve të mbyllura, ndërsa kreu i Komisionit, Hari Llokvenec, tha se janë shqyrtuar të gjitha aspektet e sigurisë, por nuk mund të ndajë detaje me opinionin për shkak se informatat janë me karakter të klasifikuar.  (Shpëtim Nuredini, TVM2)