Kriza e refugjatëve, shpëtohen 6300 refugjatë në brigjet e Mesdheut
Në një prej operacioneve më të mëdha që ka ndodhur në vitet e fundit, rojat bregdetare italiane kanë shpëtuar afro 6.500 emigrantë...

Në një prej operacioneve më të mëdha që ka ndodhur në vitet e fundit, rojat bregdetare italiane kanë shpëtuar afro 6.500 emigrantë në ujërat e detit Mesdhe, duke parandaluar tragjedi të mundshme.
Autoritetet raportuan se pati në total 40 misione të koordinuara të cilat u zhvilluan afro 20 milje larg brigjeve të qytetit libian, Sabratha.
Shumica e azil-kërkuesve që ndodheshin në këto mjete lundruese vinin nga Somalia, por refugjatë kishte nga shumë vende të Afrikës.
Ekspertët shprehën shqetësim në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore, pasi shumica e emigrantëve paguajnë shuma të konsiderueshme parash për të mbërritur në brigjet e Italisë, nga ku vijojnë edhe rrugëtimin e tyre drejt vendeve të tjera të Europës perëndimore.
Gjithashtu, një tjetër problem shqetësues është fakti se trafikantët përdorin barka mjaft të vjetruara për të transportuar emigrantët, të cilët në shumicën e rasteve tejmbushen përtej kapaciteteve.
Në kushtet kur rruga ballkanike është mbyllur dhe fluksi i refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme është frenuar, në kontinentin e vjetër po shtohet numri i emigrantëve që nisen nga Afrika veriore.
Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin ka raportuar se afro 275.000 individë të tjerë janë duke qëndruar në Libi, me qëllim nisjen drejt Italisë.
Edhe në ishujt grekë sot mbërritën rreth 460 emigrantë nga Turqia. Ky është numri më i lartë në disa javë, pavarësisht marrëveshjes së Bashkimit Europian me Turqinë. Emigrantët janë vendosur në ishujt Lesbos dhe Kos.
