Botë
Kirgistan, sulmohet Ambasada kineze
30.08.2016 12:01
Përplasja e një makine-bombë me kangjellat e Ambasadës kineze tronditi mëngjesin e sotëm kryeqytetin e Kirgistanit, Bishkek...

Zyrtarët thonë se një veturë u përplas për dyert e Ambasadës dhe shpërtheu para rezidencës së ambasadorit.
Pavarësisht forcës së shpërthimit, i vetmi që vdiq atje ishte atentatori vetëvrasës, ndërsa të plagosurit janë roje sigurie.
Të lënduarit janë shtetas kirgizë. Deri tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Ministria e Jashtme kineze e dënoi incidentin si “një sulm të dhunshëm ekstremist” e i nxiti autoritetet vendase të ndërmarrin një hetim sa më të plotë mbi ngjarjen.
“Kina është thellësisht e tronditur nga kjo ngjarje. Ministria e Jashtme aktivizoi menjëherë mekanizmin e saj të përgjigjes dhe i ka kërkuar palës kirgizë implementimin e menjëhershëm të çfarëdolloj mase që do të garantojë sigurinë e institucioneve dhe qytetarëve kinezë në Kirgistan. Ne duam gjithashtu të zbardhet sa më parë se çfarë qëndron pas këtij incidenti dhe personat përgjegjës të ndëshkohen rreptësisht”,- tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying.
Menjëherë pas ngjarjes, stafi i Ambasadës u evakuua me shpejtësi, u larguan edhe punonjësit e Selisë diplomatike amerikane, të ndodhur në afërsi.
Autoritetet vendase patën ndërmarrë një sërë operacionesh anti-terrorizmi në Bishkek vitin e kaluar. Zyrtarët besojnë se rreth 500 shtetas kirgizë i janë bashkuar militantëve të ISIS-it në Siri dhe Irak.
BELINDA KOKA-ADEMI
