Botë
Arrestohen gjashtë aktivistë të “Vetëvendosjes”, akuzohen për sulmin e 4 gushtit ndaj Kuvendit
30.08.2016 15:07
Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë aktivistë të “Vetëvendosjes” nën dyshimin se kanë lidhje me sulmin e 4 gushtit ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës...

Siç ka bërë të ditur avokati, Tomë Gashi, të arrestuar janë: Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi.
Arrestimi i tyre është bërë mëngjesin e sotëm në një aksion të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës. Me anë të një komunikate, Policia e Kosovës ka deklaruar se ky hetim kompleks është trajtuar me teknika dhe masa të specializuara të hetimit dhe sot me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë është kryer kontrolli i gjashtë lokacioneve në Prishtinë, ku janë arrestuar gjashtë të pandehur dhe janë shoqëruar dy persona të tjerë.
Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: gjashtë armë zjarri, tre pushkë automatike, dy revole, një karabinë, municion, si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin.
Por, Lëvizja “Vetëvendosje” ka përjashtuar mundësinë që personat e arrestuar dhe armët e gjetura nëpër shtëpitë e tyre të kenë lidhje me sulmin ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.
“Sa u përket armëve që kanë dalë sot, ato asnjë nuk kanë të bëjnë me sulmin që është bërë ndaj Kuvendit. Kemi raporte që thonë se ka me qindra mijëra armë ilegale në qarkullim në Kosovë. Pra, s’kanë të bëjnë asgjë me sulmin ndaj Kuvendit. Këto po bëhen për ta frikësuar qytetarin, Lëvizjen “Vetëvendosje” e aktivistët e saj për protestën e 1 shtatorit. Por, ne nuk frikësohemi, madje jemi më të bindur për t’i çuar këta kriminelë në burg. 1 shtatori paraqet fillimin e fundit të rënies së këtij pushteti kriminal të udhëhequr nga klani Pronto”,- tha Dardan Mulliqaj nga “Vetëvendosje”.
Njëherit, Molliqaj ka alarmuar për keqtrajtimin e të arrestuarve nga policia, duke theksuar se aktivistët e “Vetëvendosjes” janë rrahur në stacionin e policisë dhe u është bërë presion që të pranojnë fajësinë.
Një prej familjarëve ka pranuar posedimin e armës. Por, jo aktivistët, sepse ata janë të pafajshëm”,- ka thënë Molliqaj. Nga ana tjetër, kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, arrestimet e aktivistëve të “Vetëvendosje” i ka quajtur akt klasik i përndjekjes ndaj kundërshtarëve politikë.
"Kjo është saktësisht mënyra se si UDB-ja e përdorte dikur dhe që e ka përdorur Shik-u që sa kohë në Kosovë"- tha Visar Ymeri nga “Vetëvendosje”.
Ndërsa AAK-ja opozitare ka kërkuar që policia dhe prokuroria të japin më shumë detaje dhe t’i justifikojnë deri në detaje këto arrestime, në të kundërtën ato duhet të japin përgjegjësi.
GYLTENE SINANI
