Maqedoni
Familja Rushiti ka nevojë për ndihmë, ndihmo në: 070 459 645
30.08.2016 16:32
Familja Rushiti, si shumë familje të tjera, pësoi nga vërshimet, duke humbur edhe atë pak pasuri që kishte...

Për kryefamiljarin, vendbanimi është një problem shtesë, i cili ia rëndon barrën mbi supe. Aziri ka katër vajza dhe një djalë.
Njëra nga vajzat vuan nga zemra me punën që bën aty-këtu, nuk arrin t’i mbulojë kontrollet mjekësore dhe barnat për të bijën, aq më pak të ndërtojë shtëpi të re.
“Muret e krisura i ka totalisht, këtu nuk ka kushte për jetesë, kjo duhet të prishet. Vajza është e sëmurë prej zemrës, në punë nuk jemi, kemi punuar vetë si kemi mundur, privat, jemi gjendur sa për të jetuar, aq”,- deklaroi kryefamiljari, Azir Rushiti.
Zekija shpjegon se nuk mund të mbijetojë pa barnat dhe kontrollet e vazhdueshme. Edhe pas operacioneve të njëpasnjëshëm, gjendja shëndetësore e saj vazhdon të jetë shqetësuese. Zekija i ka mbushur 23 vjet, por për nënën e saj ajo mbetet një fëmijë i vogël për kujdes.
“Nuk mund të ec, nuk marr frymë prej zemrës, buzët më bëhen të zeza, nuk mund të rri e as të vrapoj, nuk mund të rri edhe pa ilaçet. Babai nuk ka mundësi të mi blejë ato”,- tha vajza e sëmurë, Zekije Rushiti.
“Unë kujdesem për të, akoma unë e çoj në banjo, unë ia kreh edhe flokët. Kjo është shumë e dobët, nuk mundet ta durojë as ujin. Unë ashtu, burrin pa punë... E dobët ka mbetur shumë, i ka 23 vjet. Shtëpinë ashtu, s’kam kushte të kujdesem për ta... Si ta fusim këtu në këtë shtëpi, kjo është e sëmurë”,- theksoi nëna e Zekijës.
Familja shtatëantarëshe është vendosur në konviktin e studentëve, në një dhomë të vogël që nuk i plotëson nevojat e kësaj familje. Shtëpia nga Komisioni për vlerësimin e dëmeve raportohet tërësisht e shkatërruar. Ata nuk kanë mundësi ta ndërtojnë vetë pa ndihmën e bamirësve.
“E kisha lutur popullin humanitar, të ndihmojë dikush, kush ka mundësi, se kjo prej Zotit ka ardhur. Sa që ka dikush mundësi të lëshojë ndonjë denarë, i falënderoj... Unë vetë nuk mundem ta mbaroj shtëpinë. Kush na ndihmon, Zoti i ndihmoftë”,- u shpreh kryefamiljari, Azir Rushiti.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
