Takimi i liderëve, nesër vendoset data e zgjedhjeve

30.08.2016 17:54

Katër liderët, nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinës, pritet që në klubin e deputetëve...

Katër liderët, nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinës, pritet që në klubin e deputetëve nesër të japin vlerësimin e fundit nëse janë përmbushur kushtet e dala nga marrëveshja politike që zgjedhjet të mund të mbahen më 11 dhjetor. Paraprakisht, dy partitë maqedonase, VMDO-DPMNE dhe LSDM, kanë deklaruar se ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në dhjetor dhe se takimi i liderëve do të mbahet nesër për t’u verifikuar kjo datë.

Nga LSDM nuk shohin asnjë pengesë që votimet të mbahen më 11 dhjetor.

“Jemi të bindur se në dhjetor do të mbahen zgjedhje korrekte dhe demokratike për t’i dhënë fund kësaj qeveria kriminale dhe në pushtet do të vijnë njerëz të sinqertë që do t’i zgjidhin problemet e qytetarëve. Vlerësojmë se do të plotësohen të gjitha kushtet, por le ta presim edhe takimin e nesërm, ku do të analizohen të gjitha obligimet për të cilat ramë dakord në korrik”,- thonë nga LSDM.

Ndërkohë, Nikolla Todorov nga VMRO-DPMNE nuk ka komentuar se cilat janë pritjet nga takimi i nesërm dhe se a janë krijuar kushte për zgjedhje fer dhe demokratike.

“Nuk do ta kisha komentuar takimin e liderëve, fillimisht le të mbahet dhe më pas do të ketë deklarata”,- deklaroi Nikolla Todorov nga VMRO-DPMNE.

Edhe partitë shqiptare, BDI dhe PDSh, nuk janë prononcuar për takimin e nesërm, ndërkohë që ndërkombëtarët presin ftesën për ndërmjetësim. Një nga kushtet për t’u definuar 11 dhjetori si ditë e votimit është edhe Trupi Ad–hok. Roli i këtij trupi është monitorimi i mediave 100 ditë para ditës së votimit.

Ndërkohë, me caktimin e datës së zgjedhjeve, për redaktor të Redaksisë informative në TVM1, jozyrtarisht flitet se LSDM do ta caktojë gazetaren, Santa Argirova. Deri më 2 shtator do të duhet të anulohen ndryshimet e fundit për kompetencat e ministrit të brendshëm si dhe të formohet qeveria teknike për realizimin e zgjedhjeve. (Meral Ismaili, TVM2)