Komisioni Ad-hok, Daut Dauti tërheq kandidaturën

30.08.2016 18:56

Daut Dauti e ka tërhequr kandidaturën për anëtar të pestë të Komisionit për monitorimin e mediave Ad-hok....

Daut Dauti e ka tërhequr kandidaturën për anëtar të pestë të Komisionit për monitorimin e mediave Ad-hok.

Në letrën dërguar Agjencisë për shërbime audio dhe audio-vizuele, Dauti ka theksuar se ka pritur që të jetë njëri ndër kandidatët serioz, por modeli për zgjedhje për të cilin janë dakorduar partitë ka treguar mangësitë e saj, prandaj dhe ka dhënë dorëheqje nga kandidatura për anëtarin e pestë të Komisionit Ad–hok, që të mos jetë pengesë e procesit politik.

Goran Trpenoski, anëtar i  Komisionit Ad-hok, tha se të gjitha opsionet janë në lojë dhe shpresojnë së kandidati do të zgjidhet para fillimit të takimit të liderëve.

“Bisedimet do të vazhdojnë me kohë, do të gjejmë zgjidhje, tani kemi një situate të re, shpresoj që do ta shfrytëzojmë për të gjetur zgjidhje në afatin  e duhur. Tërheqja e kandidaturës së Dautit është dorëzuar deri te arkivi dhe te ne. Ne tani do ta shqyrtojmë situatën e re të krijuar dhe mendoj se tani mund të bëjmë zgjedhje objektive, që do të jetë e pranueshme për të gjithë opinionin dhe të gjithë mediat”,- deklaroi anëtari i Komisionit, Goran Trpenoski.

Trpenovski tha se në garë nuk ka emra të ri. Ndërkohë, LSDM ka përshëndetur tërheqjen e Dautit dhe ka theksuar se tanimë nuk ka pengesa për kompletimin e Komisionit Ad-hok.

“U bëjmë thirrje që të zgjidhet sa më shpejtë anëtari i pestë shqiptar, që ky trup të fillojë me punën e paraparë sipas ligjit”,- theksojnë nga LSDM. (Sanije Duraku, TVM2)