Kuvendi shqyrton rebalancin e dytë të buxhetit

30.08.2016 19:45

Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet filloi shqyrtimin e propozim-rebalancit...

Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet filloi shqyrtimin e propozim-rebalancit të buxhetit për vitin 2016.

Sipas qeverisë dhe shumicës parlamentare, rebalanci i ri i buxhetit për vitin 2016 bëhet për të kompensuar qytetarët e goditur nga përmbytjet dhe për momentin është mënyra e vetme me të cilën mund t'u ndihmohet viktimave.

“Marrë parasysh madhësinë e fatkeqësisë natyrore dhe dëmi në aspektin e numrit të amvisërive që përfshiu dhe nivelin e dëmeve, Qeveria mori vendim që të sigurojë ndihmë të plotë për të dëmtuarit. Për këtë qëllim, Qeveria e RM-së mori disa masa, ndër të cilat edhe kompensim 100% të qytetarëve nga rajonet e krizës, të cilat, këto ditë, do të diskutohet në Kuvendin e RM-së në kuadër të rebalancit të buxhetit”,- deklaroi ministri i Financave, Kiril Minoski.

Ndërkaq, Rexhail Ismaili nga BDI kërkoi nga ministri i Financave që masat për ndihmë, që janë të limituara në tre muaj, të zgjaten në një vit, ndërkaq ftoi deputetët që ta miratojnë rebalancin dhe sa më shpejtë t'u ndihmohet qytetarëve në rajonet e përmbytura.

“Sugjeroj që të gjitha masat, të cilat janë të limituara në tre muaj, mundësisht të rritet afati nga gjashtë muaj në një vit”,- tha Rexhail Ismaili nga BDI.

Përkundër kolegëve nga pushteti, deputetët e LSDM-së thonë se banorët nga rajonet e përmbytura duhet të ndihmohen, por me mjete nga paratë e përhershme në arkën shtetërore dhe ridedikimin e tyre, e jo me borxhe të reja.

“Që të sigurohen këto 36 milionë euro, pa u rritur deficiti buxhetor, Qeveria duhet të heqë dorë nga 1,2% nga të dalat e përgjithshme në buxhet. Vetëm aq duhet të ulni shpenzimet e Qeverisë, ministrive dhe agjencive, që të mos merrni borxhe të reja dhe mos e rritni deficitin buxhetor”,- theksoi Marijanco Nikollov nga LSDM.

Edhe PDSh është kundër rebalancit të buxhetit. “Është vonuar dhe bëhet për propagandë”,- thotë Orhan Ibrahimi. Sipas tij, duhet të kërkohet përgjegjësi nga institucionet për pasojat nga përmbytjet.

“Po dëmet psikike, shpirtërore, humbjet e jetëve të fëmijëve dhe pleqve si do të kompensohen, me këto euro, me këtë propagandë johumane?! Kështu nuk rregullohen gjërat”,- u shpreh Orhan Ibrahimi nga PDSh.

Me rebalancin e buxhetit, Qeveria parasheh 2.240 milionë denarë si rezervë të përhershme për tejkalimin e pasojave nga fatkeqësitë natyrore. Qeveria siguron se me rebalancin e buxhetit do të sigurojë 36.4 milionë euro për sanimin e pasojave nga përmbytjet edhe pse vlerësimi i dëmeve ende nuk ka përfunduar. (Shpëtim Nuredini, TVM2)