Botë
Kriza e refugjatëve, 10 mijë emigrantë shpëtohen brenda tri ditësh
31.08.2016 11:46
Rreth 1200 emigrantë kanë arritur në portin sicilian të Mesinas, pasi që u shpëtuan një ditë më parë nga brigjet e Libisë...

Në mesin e tyre kishte shumë fëmijë dhe minoren të pashoqëruar. Rojet e brigjeve italiane raportuan për 6500 azilkërkues të shpëtuar në një prej operacioneve më të mëdha ku ishin të përfshira armata,anijet e forcave ushtarake mesdhetare të Bashkimit Europian, si dhe anije nga organizatat joqeveritare.
Anija e parë arriti, ajo ushtarakja e Italisë, e cila solli në Sicili grupin e parë të emigrantëve, pjesa dërmuese e të cilëve vijnë nga vendet afrikane.
Bazuar në të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit, në vitin 2016 numri i përgjithshëm i migrantëve të cilët prekën tokën europiane nga deti shkon në 266,026, ndërsa diku rreth 3,156 të tjerë kanë vdekur ose janë zhdukur.
"Sot në Messina rreth 1.200 persona kanë arritur, të cilët janë grupi i parë nga 6,500 emigrantë të shpëtuar një ditë më parë. Kishte shumë fëmijë, në mesin e njerëzve të cilët zbritën nga anija, shumë gra me foshnja, si dhe shumë familje. Shumica e tyre vijnë nga Gambia, Gana dhe Nigeria. Shumë minoren po vijnë, siç shohim, në rastet e fundit. Dje në Trapani arriti një grup prej 140 fëmijësh pa familje dhe në mesin e tyre kishte shumë minoren nga Somalia të vetëm, njëri nga ata ishte vetëm 12 vjeç”,- deklaroi zëdhënësja e “Shpëto fëmijët”, Giovanna Di Benedetto.
Shifra e fundit e çon në mbi 10,000 numrin e migrantëve të shpëtuar në vetëm tri ditë. Numri i fëmijëve pa familje që nga fillimi i vitit është rritur në mbi 14.700, ndërsa kryesisht janë të moshave 8,9,10 vjeç.
Organizata Ndërkombëtare për Migrim vlerëson se rreth 105,000 migrantë kanë arritur në Itali këtë vit, shumica prej tyre duke lundruar nga Libia me anije dhe gomone të rrezikshme.
Kushtet e favorshme të motit kanë inkurajuar migrantët këtë javë t’i drejtohen Europës. Këtë vit më shumë se 3000 njerëz kanë vdekur duke kaluar nëpër Mesdhe.
LEUNORA KALIQI
