Irlandë, ulje emergjente e avionit, 16 persona përfundojnë në spital
Një avion që kishte ndërmarrë një fluturim transatlantik nga Shtetet e Bashkuara për në Britani...

Një avion që kishte ndërmarrë një fluturim transatlantik nga Shtetet e Bashkuara për në Britani, ka bërë një ulje emergjence në Aeroportin “Shannon” të Irlandës për shkak të turbulencave në ajër, gjë që ka shkaktuar edhe 16 të plagosur.
Ndër ta, 14 janë pasagjerë dhe dy pjesëtarë ekuipazhi, të cilët janë dërguar menjëherë në spital.
Fluturimi i “United Airlines” ishte nisur nga Hjustoni i Teksasit me destinacion Aeroportin “Heathrou” të Londrës.
Por, turbulencat gjatë fluturimit bënë që linja ajrore të ndalonte fillimisht në Irlandë. Avioni devijoi kursin e tij për në Aeroportin “Shannon” në Irlandë.
Pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit të plagosur janë dërguar në spitalin e Limerickut.
“United Airlines” po ofron të gjithë kujdesin e mundshëm dhe mbështetjen ndaj pasagjerëve dhe ekuipazhit të fluturimit UA-880, që ra pre e turbulencave të papritura gjatë fluturimit nga Hjustoni në Londër gjatë ditës së sotme, tha linja e transportit ajror.
