Botë

Japoni, tajfuni Lionrock godet ishullin, 11 të vdekur

31.08.2016 13:50

Tajfuni, i cili goditi Japoninë veriore, gjegjësisht prefekturën Iuate, u shndërrua në stuhi të fuqishme tropikale, e cila shkaktoi viktima dhe dëme të mëdha...

Agjencia Meteorologjike e Japonisë raportoi se shkak për këtë katastrofë ishin flukset e ajrit të lagësht drejt stuhisë mbi brigjet perëndimore të Hokkaidos, të cilat shtyn retë të krijojnë përmbytje mbi këtë ishull.

Pjesë të Hokkaidos janë goditur me nga më shumë se 300 milimetra shi që nga e hëna, duke tejkaluar mesataren për gjithë muajin gusht, ndërsa pjesa qendrore shënoi rekord me 500 milimetra reshje. Lumenjtë në Iuates dhe Hokaidos janë tejmbushur dhe kanë shkaktuar përmbytje të gjerë.

Autoritetet kanë paralajmëruar për rrëshqitjet e dheut në disa pjesë, derisa kushtet e paqëndrueshme atmosferike pritet të vazhdojnë.

Valët e detit në Hokaido arrijnë në 7 metra lartësi, ndërsa sasia e ujit është në rritje në disa lumenj të vendit.

Agjencia Meteorologjike paralajmëron njerëzit të qëndrojnë vigjilentë në rast të  tejmbushjes së lumenjve, nga rrëshqitjet, përmbytje në zonat e ulëta, valët e larta, rrufetë dhe tornadot.

Raportet policore flasin për gjetjen e nëntë trupave në një shtëpi për të moshuar si rezultat i përmbytjeve, gjinia dhe mosha e të cilëve ende nuk është identifikuar.

Numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar në 11.

LEUNORA KALIQI