Botë
Të arrestuarit e “Vetëvendosjes”, familjarët: Armët ishin të tonat, jo të fëmijëve
31.08.2016 14:37
Familjarët e gjashtë aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosjes”, të arrestuar ditën e martë nga Policia e Kosovës...

Familjarët e gjashtë aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosjes”, të arrestuar ditën e martë nga Policia e Kosovës, si të dyshuar për organizimin dhe kryerjen e sulmit më 4 gusht me mjet shpërthyes ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, kanë pranuar se armët që janë gjetur nëpër shtëpitë e tyre janë pa leje, por thanë se i kanë kujtim dhe i ruajnë si suvenire dhe se asnjëherë nuk janë përdorur për asnjë rast.
Prindërit e dy të arrestuarve, Ramiz Arifi, babai i Atdhe Arifit, dhe Avni Deharit, babai i të arrestuarit, Astrit Dehari, theksuan se armët e sekuestruara nga Policia janë të tyre dhe jo të fëmijëve.
“Me rastin e arrestimit të Atdheut në orën 6 të mëngjesit kanë ardhur policia, dhe gjatë bastisjes, pos tjerash, kanë marrë edhe armët që kanë qenë në pronësinë time. E kam ruajtur si suvenir dhe nuk e kam përdorur kurrë. Arma nuk është e aktivistëve, por e imja”,- deklaroi familjari, Ramiz Arifi.
“Armët janë të miat, mi ka lënë djali im. I kam kujtim të djalit dhe janë pa leje”,- tha familjar, Avni Dehari.
Rilind Haliti, vëllai i Egzon Halitit, tha se helmetat janë të tij, pasi vozit motor dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me Egzonin.
“Policia kur hyri, tha a ke armë, unë e dorëzova armën të cilën e kam kujtim nga gjyshi. Helmetat janë të mijat personale”,- tha familjari, Rilind Haliti.
Kuvendi i Kosovës të enjten në orën 11:30 pritet të votojë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Pro kësaj marrëveshje zyrtarisht janë shprehur dy partitë në pushtet, PDK dhe LDK.
Por, për ta kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Lëvizja “Vetëvendosje” ka bërë të ditur se do të mbajë protesta gjithë popullore në Prishtinë, ku priten të fillojnë prej orës 11:00 në sheshin “Skënderbeu”në Prishtinë.
GYLTENE SINANI
