Maqedoni

Shkolla e Muzikës në Kumanovë bën protesta për moshapjen e paraleles shqipe

31.08.2016 15:13

Përfaqësues të Shoqatës Kulturore Artistike “Mrika” nga Kumanova, pakënaqësinë e tyre për moshapjen e paraleles në gjuhën shqipe...

Përfaqësues të Shoqatës Kulturore Artistike “Mrika” nga Kumanova, pakënaqësinë e tyre për moshapjen e paraleles në gjuhën shqipe pranë Shkollës së ulët të Muzikës “Pançe Peshev” sot e manifestuan me ndarjen e afisheve këshilltarëve komunal para fillimit të seancës së sotme të rregullt të Këshillit të Kumanovës.
 
Kjo protestë e qetë ndikoi që këshilltarët shqiptarë gjatë verifikimit të rendit të ditës të kërkojnë futjen në rend dite edhe të kësaj çështje.
 
Për këtë arsye u kërkua një pauzë 30-minutëshe për konsultime me shërbimet kompetente komunale për të parë se deri ku është arritur me këtë iniciativë.
 
Për shkak të kohës së shkurtër, megjithatë u vendos që një raport më i detajuar të prezantohet në seancën e ardhshme.
 
“Dëgjuam se këshilltarët shqiptarë komunal që na përfaqësojnë ne të gjithë bashkërisht aplikuan kërkesën tonë për ta futur në rend dite çështjen e paraleles në gjuhën shqipe, si iniciativë e ngritur para dy vitesh. Mendoj se ky aktivitet e arriti efektin e vet”,- deklaroi Rami Mustafa nga ShKA “Mrika” – Kumanovë.
 
“Është një kërkesë legjitime e kamotshme, realisht ka dy vite që diskutojmë, është për çudi pse nuk ndërmerren hapat. Ne si këshilltarë kemi dhënë kontributin tonë në këtë aspekt me gjitha mundësitë që i kemi pasur… Është një e drejtë legjitime që u takon të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë”,- tha koordinatori i këshilltarëve të BDI-së në Kumanovë, Ridvan Asani.
 
Edhe kreu i Kumanovës, Zoran Damjanovski, i cili pati premtuar se do të hapet paralelja në gjuhën shqipe, thotë se është në pritje të përgjigjes nga institucionet përkatëse për hapjen e saj, pasi që këtë e mundëson edhe ligji për dygjuhësi në arsim.
 
“Jemi në kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, dhe presim përgjigje pozitive për zgjidhjen e kësaj çështje, kjo është një çështje teknike për mua, mirëpo po i jepet dimension ndëretnik çështjes. Mendoj se duhet të respektohet Ligji për dygjuhësi në arsim në Maqedoni”,- theksoi kryetari i Komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski.
 
Në këtë Shkollë të Muzikës në Kumanovë janë të regjistruar madje rreth 50 nxënës shqiptarë e që mësimet i ndjekin në gjuhën maqedonase.
 
NEXHAT AQIFI