Ra zilja e parë, 270 mijë nxënës iu kthyen bankave shkollore
Filloi sot viti i ri shkollor për të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të vendit....

Filloi sot viti i ri shkollor për të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të vendit.
270 mijë nxënës, 188 mijë të shkollave fillore dhe 80 mijë nxënës të shkollave të mesme, u rikthyen pas pushimeve në shkollat e tyre.
Më të emocionuarit janë ata që ulen për herë të parë në bankat shkollore, por edhe të tjerët tashmë u bënë gati për të nisur edhe një vit të ri në rrugën e gjatë të arsimimit.
“Shumë bukur”,- tha një nxënës.
“Mirë”,- theksoi një nxënës.
“Tani e para, mirë”- u shpreh një nxënës.
“Po klasa e parë, mirë”,- potencoi një nxënës.
“Unë tash dal në klasën e katërt dhe për pushim veror kam ushtruar matematikë dhe kam lexuar, kam ushtruar leximin”,- u shpreh një nxënës.
“Mirë, po, po”,- tha një nxënës.
Në Shkollën Fillore “Adem Jashari” në Çair procesi arsimor ka filluar normalisht, pasi paraprakisht janë dezinfektuar edhe të gjitha klasat që pësuan nga vërshimet e 6 gushtit. Në këtë shkollë, në klasën e parë janë regjistruar 101 nxënës deri tani.
“Gjendja është shumë e mirë, podrumet i kemi pastruar, i kemi rregulluar, çdo gjë është në rregull, tash do të fillojmë me vitin shkollor. Kemi marrë edhe klor, i kemi dezinfektuar klasat, paralelet dhe jemi gati. Deri më tani janë regjistruar 101 nxënës në klasën e parë, që d.m.th. nuk është numër definitiv, mundet edhe të rritet numri. Katër paralele i kemi të parat dhe mirë është puna”,- deklaroi drejtori i Shkollës Fillore “Adem Jashari”, Halil Palloshi
Janë gjithsej 21.213 fëmijë që sivjet janë regjistruar në klasën e parë në nga vendi, por nga MASh-i thonë se ky numër mund të rritet, sepse regjistrimet e nxënësve në klasën e parë do të zgjasin edhe gjatë shtatorit. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
