Hapet shkolla e mesme në Saraj, ëndrra e gjeneratave të tëra bëhet realitet
Ëndrra për arsim të mesëm në Saraj më në fund u plotësua me një shkollë të mesme....

Ëndrra për arsim të mesëm në Saraj më në fund u plotësua me një shkollë të mesme sipas të gjitha standardeve.
Ajo hapi edhe zyrtarisht dyert e saj për nxënësit. Shkolla e re është investim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndërsa kontribut ka dhënë Komuna e Sarajit dhe Qyteti i Shkupit.
“Objekti i ri shkollor në Saraj është një investim i Qeverisë dhe MASh-it me një vlerë prej 48 milionë denarëve. Në drejtim të gjimnazit do të regjistrohen 166 nxënës dhe 56 nxënës në drejtimin ekonomik”,- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.
“Më 1 shtator 2016 do të shënohet me shkronja të arta, jo vetëm për banorët e Sarajit, por për të gjithë shqiptarët, pasi që për herë të parë në Komunën e Sarajit, pas shumë sakrificave të shumë gjeneratave të cilat për t’u arsimuar, për t’u edukuar kanë udhëtuar dhjetëra kilometra vetëm për të kryer arsimin e tyre të mesëm. Sot është një ditë historike për banorët e Komunës së Sarajit”,- tha kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Në këtë solemnitet ishin të pranishëm dhe përfaqësues politik dhe institucional.
“Dikur ka qenë ëndërr, sot bëhet realitet. Gjeneratat para nesh të cilat kanë kontribuar nuk kanë parë ëndrra ditën, por ëndrrat e bukura i kanë parë në mbrëmje dhe punët dhe idealet i kanë realizuar ditën. Asgjë nuk realizohet nga ëndrrat me sy të hapur, por veprat kapitale duan mobilizim e angazhim dhe veprat kapitale burojnë pikërisht nga zemra, përcaktimet dhe idealet për të pasur një arsim sa më të mirë dhe cilësor, dhe këto vlera pikërisht duhen ndërtuar nga mësueset tona”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Sot kjo shkollë e pajisur me kushtet dhe hapësira tejet moderne po fillon punën dhe besoj se do të vazhdojë për jetë, me shpresë dhe bindje se prej kësaj shkolle do të dalin kuadro kualitativ dhe me perspektivë, të cilat pastaj do të kenë mundësi studimet e tyre t’i vazhdojnë në UShT në Shkup, Tetovë dhe nëpër Europë dhe botë”,- theksoi ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti.
Në Shkollën e Mesme “Saraj” do të funksionojnë gjashtë paralele, prej të cilave katër të drejtimit gjimnaz dhe dy ekonomi. Deri tani janë plotësuar të gjitha paralelet me nga 27 nxënës, ndërsa janë ndarë mjete edhe për transportin falas të nxënësve që jetojnë në fshatrat përreth komunës. (Rexhep Qamili, TVM2)
