Maqedoni

Kompletohet Komisioni Ad-hoc, Lulzim Aziri edhe zyrtarisht anëtar i pestë

01.09.2016 16:45

Komisioni i përkohshëm për monitorimin e mediave 100 ditë para zgjedhjeve zgjodhi edhe zyrtarisht Lulzim Hazirin...

Komisioni i përkohshëm për monitorimin e mediave 100 ditë para zgjedhjeve zgjodhi edhe zyrtarisht Lulzim Hazirin për anëtar të pestë të këtij trupi, pasi që kandidatura e tij doli si i vetmi emër i pranueshëm  pas bisedave mes liderëve të LSDM-së dhe BDI-së. 
 
“Zyrtarisht, kompletuam trupin e përkohshëm për monitorimin e mediave 100 ditë para zgjedhjeve. Kemi disa parime nga të cilat nuk do të heqim dorë. Kjo është kryesisht liria e shprehjes, liria e medias, mos të ketë censurë dhe sigurisht respektimi i të gjitha rregullave në mënyrë të barabartë për të gjithë”,- deklaroi anëtarja e Komisionit, Sllagjana Dimishkova.
 
Anëtari i pestë shqiptar, Lulzim Haziri, theksoi se ai nuk ka aplikuar, por si duket kandidatura e tij ka qenë zgjidhja e vetme për të cilën partitë kanë mundur të dakordohen. 
 
“Besoj se prezenca ime edhe në media edhe në sektorin civil do të jetë si një ndihmesë për krijimin e një atmosfere pozitive brenda Komisionit. Unë mendoj se prania ime dhe pavarësia ime do të jetë një pikë referimi i bashkëpunimit të mirë dhe gjetjes së zgjidhjeve”,- tha anëtari i Komisionit për Media, Lulzim Haziri.
 
Në pajtueshmëri me ndryshimet ligjore, Komisioni i përkohshëm për monitorimin e mediave 100 ditë para zgjedhjeve do të sjellë konstatime të cilat duhet të pranohen nga Agjenscia për shërbime audio dhe audio-vizuele.
 
Konstatimet do t’u referohen rekomandimeve nëse do të ngrihet procedura ndaj medias e cila e shkel kodin zgjedhor.
 
Mandati i Komisionit të përkohshëm zgjat deri në përfundimin e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahet më 11 dhjetor të këtij viti.
 
SANIJE DURAKU