Maqedoni

Rajonet e përmbytura, OEMVP: pa përkrahje, bizneset do të falimentojnë

01.09.2016 16:51

Vërshimet në rajonin e Shkupit kanë dëmtuar në masë të madhe edhe shumë kompani...

OEMVP informon se nga 10% e kompanive të anketuara dëmet materiale arrijnë deri më 7 milionë euro.
 
Por, nga ky institucion ankohen se qeveria aspak nuk ka marrë masa për verifikimin e dëmeve dhe për këtë arsye OEMVP propozon disa masa që do t’i jepen qeverisë për rimëkëmbjen e bizneseve pas vërshimeve. 
 
“Të merret vendim qeveritar për përfshirjen edhe të operatorëve ekonomik nga zonat e vërshuara në procesin e trajtimit institucional, të fillojë procesi i verifikimit të dëmeve nga institucionet përkatëse, të merret vendim për nivelin e mbulimit të humbjeve potenciale të kompanive nga këto zona”,- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
 
Gjithashtu, OEMVP kërkon edhe masa për lehtësime tatimore si dhe masa rimëkëmbëse të operatorëve ekonomik. Pronarët e kompanive që gravitojnë në zonat e vërshuara thonë se dëmi që u është shkaktuar është shumë i madh, andaj ata presin ndihmë prej institucioneve shtetërore.
 
“Pjesa më e madhe e materialit është e dëmtuar, kështu që nuk kemi tani se me çka të punojmë, faktikisht nuk kemi mall, malli është i dëmtuar 100%”,- deklaroi Zija Zeqiri nga ZI-MUS Kompani.
 
“Kompania jonë është një ndër kompanitë që ka dëme më të mëdha materiale, kemi afër 60 të punësuar, edhe kërkojmë prej qeverisë që të na del në ndihmë”,- u shpreh Ramadan Ferati nga SBV Kompani  S-MARKET.
 
Përmbytjet kanë dëmtuar edhe shumë zona bujqësore. Bujqit thonë se vendimi i qeverisë për t’u trajtuar vetëm shtëpitë është i papranuar, pasi që dëmet në zonat bujqësore janë shumë të mëdha.
 
ERSAN PAJAZITI