Botë

Kuvendi i Kosovës, Mustafa tërheq ratifikimin e demarkacionit, feston opozita dhe protestuesit

01.09.2016 17:08

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në emër të Qeverisë së Kosovës ka tërhequr propozimin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi...

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në emër të Qeverisë së Kosovës ka tërhequr propozimin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, pasi Lista serbe, edhe pse pjesë e Qeverisë, nuk mori pjesë në seancën e sotme kuvendore.
 
Por, “tërheqja e këtij projektligji nuk nënkupton se marrëveshja do të rishikohet apo rinegociohet, do ta sjellim në kuvend në një kohë më të përshtatshme”,- tha Mustafa. 
 
"Unë si kryeministër konsideroj se sot nuk janë rrethanat që sot duhet të votojmë për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Qeveria e heq nga rendi i ditës votimin për demarkacionin. Me bashkëbisedim do të provojmë të gjejmë një marrëveshje në lidhje me ligjin. Nuk është mënyra e duhur që të procedojmë me këtë ligj kur kemi presione mbi deputetët. Tërheqja e këtij ligji nuk do të thotë se do të ndryshojmë marrëveshjen, mirëpo do ta procedojmë në Kuvend kur Qeveria e vlerëson se është gati”,- deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. 
 
Por, pas kësaj deklarate të Mustafës, protestuesit që ishin para Kuvendit në protestën e thirrur nga “Vetëvendosje!” për të kundërshtuar ratifikimin e kësaj marrëveshje filluan festën. 
 
Ndërsa deputeti i “Vetëvendosjes!”, Albin Kurti, tha se protestuesit dhe opozita sot mbrojtën 8 mijë e 200 hektarë tokë të Kosovës.
 
“Sot në Parlamentin e Kosovës më shumë dëgjohej zëri juaj se sa i deputetëve. Duke iu falënderuar peticionit, protestave dhe demonstratave më të mëdha pasluftës dhe duke iu falënderuar gjithë ekspertëve që na kanë dëshmuar se hektarët në bjeshkët e Kosovës i takojnë Kosovës. Duke iu falënderuar deputetëve të Kosovës, e në veçanti atyre të “Vetëvendosjes!”, por edhe deputetes, Vjosa Osmani, Nait Hasanit që nuk iu nënshtruan Kadri Veselit. Sot kemi korr fitore historike, duke ia mbrojtur 8200 hektarë Kosovës”,- tha Albin Kurti nga “Vetëvendosje!”.              
                                      
Në momentin e tërheqjes së marrëveshjes për demarkacionin në sallë kishte rreth 100 deputetë, theksuan deputetët opozitarë, sipas të cilëve kryeministri Mustafa nuk duhej të tërhiqte propozimin për shkak të mospranisë së deputetëve të Listës serbe, por të pranonte se nuk i ka numrat për ratifikimin e saj, të pranonte dështimin dhe marrëveshja të rinegocionohet ashtu siç kërkojnë ekspertët, opozita dhe qytetarët. 
 
GYLTENE SINANI