Maqedoni

Zgjedhje të reja me probleme të vjetra, Maksuti: jo zgjedhje pa i dënuar shpërdoruesit

01.09.2016 17:22

Maqedonia do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare pa eliminuar problemet që sollën nevojën për zgjedhje të tilla...

Maqedonia do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare pa eliminuar problemet që sollën nevojën për zgjedhje të tilla, thotë profesori universitar, Mersin Maksuti.
 
Sipas tij, pa pasur një epilog gjyqësor për aktorët politik të dyshuar për krim zgjedhor në zgjedhjet paraprake, e që vazhdojnë të jenë pjesëmarrës në garën zgjedhore, nuk mund të thuhet se janë krijuar kushtet për zgjedhje korrekte dhe demokratike, pavarësisht vlerësimit pozitiv të kryetarëve të katër partive politike.
 
“Të vijnë në shprehje të gjitha rastet të cilat i ka iniciuar PPS. Të vijnë para procesuimit të tyre dhe të hapet procedura e mirëfilltë, që qytetarët më 11 dhjetor të dinë deri diku se kush ka keqpërdorë, kush ka vjedh, kush ka abuzuar me pushtetin në këtë vend dhe kjo është shumë më me rëndësi para se të shkohet në zgjedhje më 11 dhjetor. Në fund të fundit këto zgjedhje u shkaktuan edhe si rezultat i përgjimeve dhe keqpërdorimeve të mëdha në shtet. Prandaj ky është kuptimi i vërtetë që duhej të dihet në këto zgjedhje”,- deklaroi analisti, Mersin Maksuti.
 
Sipas Maksutit, me këto parakushte, shqiptarët rezultojnë qytetarët më të dëmtuar në këto zgjedhje, pasi kanë humbur peshën e votës.  
         
“Ne po dalim si humbësit më të mëdhenj të kësaj marrëveshje që u arrit dhe e çon Maqedoninë në zgjedhjet e 11 dhjetorit, me vetë faktin se nuk arritëm të drejtën që na takon lidhur me peshën e votës së shqiptarëve në këtë vend, me vetë faktin se tashmë një pjesë e madhe e votuesve shqiptarë mund të përjashtohen krejtësisht nga e drejta e votës së tyre më 11 dhjetor”,- tha analisti, Mersin Maksuti.
 
Konform Marrëveshjes së Përzhinës, Qeveria teknike, e cila duhet të organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duhet të zgjidhet 100 ditë para datës së zgjedhjeve, respektivisht më 2 shtator; Kuvendi, në harmoni me kushtetutën, duhet të vetëshpërndahet 60 ditë para zgjedhjeve, ndërsa fushata zgjedhore do të fillojë më 20 nëntor. 
 
SHPËTIM NUREDINI