Turqi-grushti i shtetit, shkarkohen 543 gjykatës dhe prokurorë
Turqia vazhdon spastrimet e nisura pas grushtit të shtetit...

Turqia vazhdon spastrimet e nisura pas grushtit të shtetit. 543 gjykatës dhe prokurorë janë shkarkuar nga detyra me akuzën për mbështetje të tentativës për rrëzimin e qeverisë në mbrëmjen e 15 korrikut.
Ka arritur kështu në afro 3300 numri total i personave që janë larguar nga detyra vetëm nga të punësuarit në sistemin gjyqësor. Zyrtarët turq u shprehën se të shkarkuarit janë mbështetës të klerikut, Fetullah Gulen.
Pas shkarkimeve nga detyra, për mediat ka reaguar menjëherë presidenti, Rexhep Taip Erdogan. Kreu i shtetit u shpreh se spastrimet do të kontribuojnë në pavarësinë e gjyqësorit.
Ankaraja ka marrë kritika të shumta nga zyrtarët e BE-së për shkak të arrestimeve dhe shkarkimet nga detyra. Spastrimet e fundit të Turqisë u bënë në një kohë kur në Stamboll qëndronte presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shuls.
Ai ka përsëritur edhe njëherë mesazhin e Unionit se për të avancuar në procesin e anëtarësimit, Turqia duhet të ndryshojë ligjet për terrorizmin. Sa i përket marrëveshjes së emigrantëve, Schuls nënvizoi se akordi nuk ka dështuar dhe se po negociohet ende disa detaje.
Presidenti i PE-së zbuti disi retorikën kur foli për liberalizimin e vizave për qytetarët turq, kur tha se ndihej optimist për këtë çështje.
