MPB ndryshoi ministrin, Andonov merr karrigen për vetëm një ditë
Një ditë para përzgjedhjes së ministrit të ri nga radhët e LSDM-së...

Një ditë para përzgjedhjes së ministrit të ri nga radhët e LSDM-së në karrigen e parë të Ministrisë së Brendshme, Kuvendi zgjodhi me 65 vota për dhe asnjë kundër Oliver Andonovin për ministër të Punëve të Brendshme.
Ai postin do të mund ta gëzojë vetëm deri në zgjedhjen e ministrit të ri dhe në atë moment do të kthehet në zëvendësministër plotësues.
Nga Qeveria thonë se Andonov është ministër i zgjedhur nga radhët e ekspertëve, por përzgjedhja e një ministri për vetëm një ditë bëri që debati mbrëmë në Kuvend të zgjasë deri në orët e vona, e në fund ministri i ri mori vetëm votat e pushtetit, pasi opozita gjatë gjithë debatit e quajti këtë përzgjedhje lojë të pakuptimtë.
Emërimi i ministrit të ri erdhi pasi gjatë ditës ish ministri Çavkov dha dorëheqjen bashkë me drejtorët e deritanishëm në Byronë për Siguri Publike dhe në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, Gorançe Savovski dhe Ljupço Andonovski.
Pritet që kryeministri Dimitriev ta propozojë Mitko Çavkovin për drejtor në Zyrën për Siguri Publike në MPB.
Kuvendi mbrëmë votoi vetëm drejtorin e ri të DSK-së, të cilën tani do ta drejtojë Vlladimir Atanasovski, drejtor i deritanishëm i Drejtorisë për Zbulim Financiar.
