Zelandë e Re, tërmet 7.1 ballësh, nuk ka panik për cunami

02.09.2016 12:32

Banorët e Gjirit Tologa, në brigjet lindore të Zelandës së Re...

Banorët e Gjirit Tologa, në brigjet lindore të Zelandës së Re, janë evakuuar pas një tërmeti të fuqishëm që tronditi vendin, e që epiqendrën e pati në det.

Autoritetet e Mbrojtjes Civile u kërkuan banorëve të largoheshin nga shtëpitë e tyre pas tronditjeve prej 7.1 ballë të shkallës Rihter, lëkundje rreth 169 km në juglindje të Gisborne.

Edhe njerëzit në disa zona të tjera bregdetare u njoftuan dhe u paralajmëruan të ngjiteshin në vende sa më të larta. Kjo, sepse tërmeti shkaktoi një cunam, por impakti i këtij të fundit nuk ka qenë aq i rëndë sa për t’u frikësuar. 

Qendra e Paralajmërimit për Cuname në Paqësor, që gjendet në  Hauai, tha se ishte shënuar vetëm një dallgë prej 21 centimetrash.

Tërmeti e kishte thellësinë 19.1 milje nën det, bënë të ditur monitorues amerikanë. Banorë përreth Ishullit Verior thanë se i kishin ndier tronditjet, por ende nuk ka raportime për dëme serioze.

Në vitin 2011, qyteti i Christchurch në Ishullin Jugor u shkatërrua pas një tërmeti me magnitudë 6.3, ndërsa mbetën të vdekur 185 persona.

Çdo vit, më shumë se 15 mijë tërmete regjistrohen në Zelandën e Re, por vetëm 150 prej tyre janë të një shkalle të konsiderueshme për t’ua pasur frikën.