Sh. F. “25 Maji” në Hasanbeg, e pastruar dhe dezinfektuar, gati për mësim

02.09.2016 13:58

Dy objektet e Shkollës Fillore “25 Maji” në lagjen Hasanbeg...

Dy objektet e Shkollës  Fillore “25 Maji” në lagjen Hasanbeg, që u prekën nga vërshimet e 6 gushtit, janë gati për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ato janë pastruar në tërësi, janë meremetuar të gjitha dëmet materiale që u shkaktuan nga vërshimet. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu, pas inspektimit të tij në këto dy shkolla tha se janë plotësuar të gjitha kushtet për fillim të vitit shkollor. 

“Si Ministri e Arsimit u kemi dhënë prioritet shkollave që në fillimvit t’i gjejnë nxënësit në kushte normale, ngase shumë shkolla ishin prekur nga vërshimet, dhe jemi munduar me gjitha kapacitetet institucionale që fillimviti nxënësit t’i gjejë në kushtet normale. Ashtu si e patë, kushtet janë bërë gati, kështu që besoj se drejtori në bashkëpunim me institucionet arsimore edhe me komunën kanë bërë punë mjaft të mirë. Shkolla është në kushte mjaft ideale dhe kush do ta besonte se para dy javëve ishte një gërmadhe e madhe e mbeturinave, e sot e kemi të gjithën të pastruar dhe të rregulluar”,- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.

“T’ju them të drejtën, shkolla, edhe pse ka qenë si shtab kryesor i krizës, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor. Vet e shihni ju se të gjitha premtimet që u premtuan nga Qeveria dhe ministrat e saj u realizuan me sukses dhe ka mbet një pjesë tjetër, ku komuna prej ditës së hënë do të bëjë gardhin e fushës së sportit dhe rregullimin e parkut të shkollës dhe kështu që në një të ardhme e shkurtër do të realizohet edhe kjo”,- tha drejtori i Sh. F. “25 Maji”, Fadil Murtezani.

Në Shkollën Fillore “25 Maji” mësojnë 1.448 nxënës, prej të cilëve në shkollën periferike janë gjithsej 181 nxënës.

Këta nxënës janë pajisur me çanta nga një shoqatë nga Bazeli i Zvicrës, ndërsa nga e hëna Organizata humanitare “Kalliri i Mirësisë” do të bëjë shpërndarjen e 200 kompleteve dhe mjeteve didaktike ndihmëse. (Rexhep Qamili, TVM2)