Uragani godet Floridën, gjendje e jashtëzakonshme në 51 konte
Uragani Hermine preku tokën në Floridën veriore...

Uragani Hermine preku tokën në Floridën veriore, duke u bërë i pari që godet shtetin në 11 vjet.
Hermine u përplas dhunshëm në gjirin e Floridës në orët e para të së premtes, si një uragan i kategorisë së parë, duke sjellë me vete një stuhi të fuqishme. Guvernatori, Rik Skot, shpalli gjendjen e emergjencës në 51 konte, ndërsa banorët u paralajmëruan për një stuhi të rrezikshme.
Siç bëri të ditur Qendra Kombëtare për Uraganet, shpejtësia e erës arriti 80 km në orë. Autoritetet në kryeqytetin e vendit Tallahase thanë se të paktën 70 mijë banesa ishin pa energji elektrike.
Ekspertë të motit në qytet paralajmëruan mbi rrezikun e përmbytjeve të shpejta dhe u bënë thirrje banorëve të zhvendoseshin në zona të larta. Në jug të Tallahasse, qyteti i Cedar Key, përjetoi një rritje të nivelit të detit me 2 metra.
Imazhet e postuara në rrjetet sociale treguan përmbytje të konsiderueshme. Edhe pse zona goditet shpesh nga stuhitë e përmbytjet, nuk kishte parë një uragan për rreth 4 mijë ditë.
Vilma ishte uragani i fundit që goditi Floridën në tetor të vitit 2005. Ai preku tokën në të njëjtin vit me Katrinën, duke shkaktuar pesë të vdekur e 23 miliardë dollarë dëme.
Guvernatori i Floridës, Skot, e cilësoi Herminen si tepër të rrezikshëm dhe tha se 8 mijë pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Floridës do të mobilizoheshin për të ndihmuar gjatë stuhisë. Guvernatori urdhëroi evakuime në pesë konte në veriperëndim të vendit dhe kërkoi evakuime vullnetare në tre konte të tjera bregdetare.
Meteorologët parashikojnë se Hermine do të godasë gjithashtu edhe Xhorxhan e Karolinën Veriore dhe atë Jugore. Guvernatori i Xhorxhas, Natan Dill, shpalli gjendjen e emergjencës për 56 konte. (Leunora Kaliqi, TVM2)
