Putin: Afër marrëveshjes ShBA-Rusi për Sirinë

02.09.2016 15:25

Pavarësisht dallimeve të theksuara, presidenti rus, Vladimir Putin...

Pavarësisht dallimeve të theksuara, presidenti rus, Vladimir Putin, thotë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë afër arritjes së marrëveshjes për t’i dhënë fund konfliktit në Siri.

Në një intervistë dhënë dy ditë para takimit të G20 në Kinë, ku Putin pritet të takohet me presidentin amerikan, Barack Obama, ai ka thënë se bisedimet mes Moskës dhe Uashingtonit janë shumë të vështira, por janë në rrugën e duhur.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që në të ardhmen e afërt ne mund të pajtohemi dhe ta paraqesim këtë marrëveshje para komunitetit botëror. Por tani është e vështirë të thuhet, por më duket mua se jemi duke lëvizur në drejtimin e duhur”,- deklaroi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.

Një marrëveshje ShBA-Rusi për konfliktin sirian e paralajmëruan edhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, javën e kaluar, me gjithë se ata pranuan se ka ende dallime, sidomos sa u përket grupeve që duhet të ishin cak i sulmeve në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim ushtarak.

Në konfliktin në Siri që nga viti 2011 kanë humbur jetën mbi gjysmë milion njerëz, ndërsa miliona të tjerë janë shpërngulur, pasi një pjesë e vendit është nën kontrollin e ISIS-it dhe grupeve tjera militante, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga forcat pro-qeveritare. (Gazmend Rexhepi, TVM2)