Samuel Zhbogar, shef i ri i Delegacionit të BE-së në Maqedoni
Bashkimi Europian pret që sa më parë të tejkalohet kriza politike në vend...

Bashkimi Europian pret që sa më parë të tejkalohet kriza politike në vend. Kështu deklaroi euroambasadori i sapoemëruar në Shkup, Samuel Zhbogar, gjatë dorëzimit të letrave akredituese tek kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov.
Mes tjerash, gjatë mandatit të tij Zhbogar tha se duhet të fokusohemi në vlerat e BE-së, si demokracia, sundimi i së drejtës, respektimi i të drejtave të njeriut dhe zhvillimi i dialogut.
“BE me padurim pret që të tejkalohet kriza e gjatë politike nëpërmjet Marrëveshjes së Përzhinës, e lehtësuar nga ShBA dhe BE, dhe e pranuar nga partitë kryesore politike, me qëllime të qarta për përgjegjësi dhe vënie në rend të parë të interesave të vendit. Këto drejtime janë të rëndësishme jo vetëm për implementimin e marrëveshjes, por edhe për implementimin e reformave të patjetërsueshme për ardhmërinë më të mirë të qytetarëve të vendit tuaj”,- deklaroi euroambasadori, Samuel Zhbogar.
Shpresojmë që sa më shpejtë të zhbllokohen proceset eurointegruese. Çdo prolongim i mëtutjeshëm i këtij procesi do të ndikojë seriozisht në ecurinë e reformave, kulturën e shtetit, dialogut dhe kompromisit shtetëror, theksoi me këtë rast presidenti Ivanov.
“Në të kundërtën, nëse Maqedonia edhe pas zgjedhjeve në vijim nuk merr datë për fillimin e bisedimeve për integrim në BE, është çështje kohe se kur do të ballafaqohemi me krizë të re politike, sepse ekziston rrezik real i rrënjës së besimit dhe përkrahjes së qytetarëve, të cilët anëtarësimin në BE e shohin si faktor për një të ardhme më të mirë”,- tha kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov.
Ivanov beson se BE, edhe përkundër sfidave të brendshme që ka, do t’a përmirësojë qasjen ndaj Maqedonisë dhe se do t’a inkurajojë vendin, jo vetëm në mënyrë deklarative, por edhe më hapa konkret. (Nermin Mualki-Fejzullahu, TVM2)
