Debat i organizuar nga “Fridrih Ebert”, dialog për çështjet që i tangojnë qytetarët

02.09.2016 16:35

Demokracia kërkon demokrat...

Demokracia kërkon demokrat! Të jesh demokrat mësohesh në jetë duke participuar në zhvillimet e vendit tënd apo në komunitetin  tënd, vlerësoi Frank Hantke nga Fondacioni gjerman, Fridrih Ebert dhe Milan Zhivkoviq nga Zyra e Fondacionit në Shkup, duke diskutuar mbi zhvillimin e demokracisë në Maqedoni. Sipas tyre, dialogu dhe kyçja e opinionit është çelës i demokracisë, që nënkupton respekt për mendimin e njëri-tjetrit.

“Me rëndësi për arritjen e zgjidhjeve dhe lobimin për zgjidhje është dialogu, dëgjimi i argumenteve të të tjerëve, respektimi i mendimit ndryshe dhe arritja e kompromisit për çështje të caktuara. Në atë mënyrë mund të vihet deri te i ashtuquajturi zë i vetëm, përkatësisht zgjidhje e vetme për të cilën më pas do të lobohet, përkatësisht do të përfaqësohet”,- deklaroi Frank Hantk nga Fondacioni “Fridrih Ebert”.

“Dimë që në të kaluarën kyçja e publikut nuk ka qenë e shpeshtë në krijimin e ligjit, për këtë do të kërkojmë nga ato Organizata dhe individë që krijojnë ligjet, të përfshijnë qytetarët, dhe faza e dytë është monitorimi i implementimit të atyre ligjeve”,- tha Milan Zhivkoviq nga “Fridrih Ebert”.

Debati publik u organizua nga Fondacioni “Fridrih Ebert”, ndërsa kishte për qëllim diskutimin se si të arrihet deri te kohezioni social rreth disa çështjeve që i tangojnë qytetarët, të propozohen zgjidhje të cilat më pas do të jenë pjesë e ligjeve dhe dokumenteve strategjike dhe si ato më pas të implementohen në praktikë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)