Maqedoni

Ministria e Financave: paraqitja e dëmeve deri më 7 shtator

02.09.2016 17:43

Banorët e zonave të përmbytura mund t’i paraqesin dëmet e tyre deri më 7 shtator...

Megjithëse ishte paralajmëruar se sot është dita e fundit për paraqitjen e dëmeve nëpër zonat e përmbytura, nga Ministria e Financave thonë se Qeveria e vazhdon afatin në të cilin banorët nga vendet e përmbytura mund t’i paraqesin dëmet.
 
Në vend se deri më sot, siç ishte paralajmëruar, afati përfundimtar do të jetë deri më 7 shtator. 
 
Banorët e anketuar nga TVM2 thonë se ata i kanë paraqitur dëmet e shkaktuara materiale, por ende nuk kanë marrë asnjë informatë se kur do të bëhet kompensimi i dëmeve.
 
Ata shprehen skeptikë, duke thënë se ende nuk kanë marrë as 30 mijë denarët si avans, që u është premtuar nga qeveria. 
 
“I kemi paraqitur, por askush nuk na ka lajmëruar, as nuk kemi informata prej atyre që i kemi lajmëruar”. 
 
“Menjëherë pasi që është bërë dëmi, i kemi paraqitur. Na kanë thënë që do të na i japin menjëherë, por ja çdo ditë vijmë këtu, por nuk ka asgjë. Për 500 eurot që na kanë thënë çdo ditë po vijmë të shikojmë, por nuk ka asgjë”. 
 
“Dëmet i kemi paraqitur, mirëpo lista tjetër ende nuk ka dalë, po presim tani se çfarë do të bëhet, po presim. Puna është se janë duke na lodhur për këto avanset që na kanë thënë se do të na i lëshojnë, e lëre më paratë tjera”.
 
“I kemi paraqitur dëmet, nuk ka ende asgjë. S’kemi asnjë informatë, edhe këto 30 mijë denarë që na kanë thënë se do t’i marrim, ende nuk i kemi marrë, dikush i ka marrë, dikush ende jo”.- u shprehën banorët e zonave të përmbytura për TVM2.
 
Ndërkohë, nga Kryqi i Kuq njoftojnë se prej të hënën do të fillojnë t’u japin ndihmë me para të përmbyturve nga paratë që janë mbledhur nga donacionet e qytetarëve dhe kompanitë.
 
Sipas përllogaritjeve të deritanishme, pritet që 4000-4500 familje të marrin nga 250 euro nga Kryqi i Kuq.
 
ERSAN PAJAZITI