Maqedoni

Kuvendi zgjodhi qeverinë kalimtare

02.09.2016 18:17

Kuvendi e zgjodhi qeverinë kalimtare për zbatimin e zgjedhjeve, të cilat duhet të mbahen më 11 dhjetor...

Edhe në zgjedhjen e dytë të qeverisë kalimtare ministër i Punëve të Brendshme është Oliver Spasovski, ndërsa Frosina Remenski ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
 
Kryeministri teknik, Emill Dimitriev, gjatë paraqitjes së propozimit për ministra të rinj, tha se pret përkushtim dhe përgjegjësi nga të gjithë anëtarët e qeverisë, pavarësisht përkatësisë politike.
 
“Marrë parasysh që Qeveria për zbatimin e zgjedhjeve edhe formalisht, në kuptimin e kompetencave, edhe në aspektin përmbajtësor që ka të bëjë me përbërjen kadrovike paraqet një organ kompleks, unë pres nga të gjithë anëtarët e qeverisë, pa dallim të përkatësisë politike, përkushtim për këto prioritet, kapacitet të lartë shtetformues te të gjithë individët, pasi funksionimi i kësaj qeverie do të jetë në periudhën parazgjedhore dhe zgjedhore, në situatë të një polarizimi të lartë politik, që besoj se nuk duhet të përcillet edhe në punën e qeverisë. Absolutisht, të gjithë ministrat dhe zëvendësministrat shtesë duhet të punojnë me ndërgjegje dhe përgjegjësi, pasi kjo qeveri vendos parametrat edhe për qeveritë pasardhëse për zbatimin e zgjedhjeve, se si duhet të funksionojnë, pasi në harmoni me ligjin për qeveri, situata të tilla do të kemi në prag të të gjitha zgjedhjeve parlamentare që pasojnë”,- deklaroi kryeministri teknik, Emil Dimitriev.
 
Por, edhe zgjedhja e dytë e qeverisë kalimtare nuk kaloi pa debate dhe akuza të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës, edhe pse kjo pikë vjen në Kuvend si vendim i përbashkët i katër liderëve politik.
 
VMRO-DPMNE dhe LSDM akuzojnë njëra-tjetër për shtyrjen e vazhdueshme të datës së zgjedhjeve dhe mundësinë që pezullimi të përsëritet.    
 
“Unë nuk besoj se LSDM do të mbajë fjalën. Por, shpresoj dhe jam i obliguar të shfrytëzoj çdo mundësi që të ndihmoj personalisht dhe me grupin politik që kryesoj, që të bëjmë të gjitha hapat e duhura, ndonjëherë edhe në kundërshtim me atë që besojmë dhe mendojmë, vetëm që të përfundojë kjo krizë e thellë politike dhe t’u japim mundësi qytetarëve që të vendosin se kush ka pasur të drejtë në dy vitet e fundit dhe kush ka keqpërdor dhe manipuluar”,- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
 
“VMRO-DPMNE deklarohej se është për zgjedhje menjëherë dhe që ditën e nesërme angazhohej që zgjedhjet të prolongohen. Qëndrimi i LSDM-së është se zgjedhje parlamentare duhet të ketë. Ato duhet të jenë të parakohshme për të mbrojtur shtetin dhe për ta shpëtuar nga një grup i vogël i familjes në pushtet. Zgjedhjet duhet të jenë korrekte dhe demokratike, që qytetarët të mund të votojnë sipas bindjes. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, që të fitojë nevoja e qytetarëve që të jetojnë në RM e lirë”,- u shpreh Goran Sugarevski nga LSDM.
 
Deputetët i votuan edhe zëvendësministrat e rinj plotësues. Oliver Andonov do të jetë zëvendësministër plotësues i Punëve të Brendshme, Dime Spasov i Punës dhe Politikës Sociale, Kire Naumov i Financave, Aleksandar Kiracovski i Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Ljupço Nikollovski i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
 
Para zgjedhjes së qeverisë së re, Kuvendi konstatoi dorëheqjet e ministrave të deritanishëm, atij të Punëve të Brendshme, Oliver Andonov, dhe Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
 
SHPËTIM NUREDINI