Botë
Marrëveshja me FARC - Po vjen momenti i ndryshimit të historisë së Kolumbisë?
04.09.2016 19:59
Presidenti kolumbian Juan Manuel Santos, i bëri thirrje elitës politike në vend që të mbështesë një marrëveshje paqeje me rebelët marksistë të FARC...

“Unë jam i sigurt që populli kolumbian do ta kuptojë se një paqe e papërsosur është më e preferueshme se 20 apo 30 vite luftë”, tha ai në një intervistë të botuar këtë të diel për gazetën spanjolle El Pais.
Marrëveshja e paqes pritet të nënshkruhet më 26 shtator në Cartagena përpara një referendumi në tetor për ratifikimin përfundimtar të marrëveshjes historike me Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë.
FARC filloi në vitin 1964 aktivitetin e saj, ndërsa do të ketë 180 ditë kohë për t’u demobilizuar, çarmatosur si dhe të rinisë veprimtarinë e vet si një parti politike. OKB-ja ka rënë dakord për të monitoruar procesin.
“Nuk e kuptoj se pse shokët e mi të elitës, pjesë e së cilës jam edhe unë, kanë lejuar që të dezinformojnë veten mbi përparësitë e paqes”, ka thënë presidenti Santos.
“Jam i pikëlluar kur i shoh këta njerëz… ata nuk e kuptojnë rëndësinë e ndërmarrjes së hapave përmes së cilave, fëmijëve tanë do t’ua lëmë një shtet më paqësor”, ka shtuar ai.
Presidenti kolumbian ka thënë se kjo marrëveshje “do të ndryshojë historinë e Kolumbisë”.
Konflikti, ka lënë 260 mijë njerëz të vdekur, 45 mijë të tjerë të zhdukur dhe ka detyruar 6.9 milionë persona që të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.
Më 2 tetor, kolumbianët do të votojnë për këtë pyetje: “A e mbështesni marrëveshjen e fundit për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme?”/Ora News
