Maqedoni
Rebalanci i buxhetit, Aviroviq: S’gjejmë para pa borxh; Kitev: Reduktoni shpenzimet e ministrive
05.09.2016 18:10
Komisioni për financim dhe buxhet vazhdoi debatin e përgjithshëm rreth propozim-rebalancit të buxhetit për vitin 2016...

Komisioni për financim dhe buxhet vazhdoi debatin e përgjithshëm rreth propozim-rebalancit të buxhetit për vitin 2016, i cili bëhet për të kompensuar qytetarët e goditur nga përmbytjet.
Të gjitha palët pajtohen se qytetarëve të dëmtuar duhet t’u kompensohet dëmi, por nuk pajtohen rreth mekanizmave se si duhet të sigurohen paratë e nevojshme.
Sipas VMRO-DPMNE-së, huamarrja dhe rritja e deficitit është e patjetërsueshme.
“Nuk mundemi menjëherë të mbledhim 40 milionë, nuk mundemi ashtu. Duhet të marrim borxh diku, aty për aty, shpejt, që të mundemi shpejt t’u japim njerëzve, ndryshe do t’i zvarrisim deri në mot”,- deklaroi Vlladanka Aviroviq nga VMRO-DPMNE.
Mirëpo, opozita maqedonase është kundër huamarrjes. Sipas LSDM-së, qeveria, përveç alokimit të fondeve, konform Ligjit për buxhete, duhet të reduktojë shpenzimet.
“Ashtu si na e sqaruat, d.m.th. mos dhashtë Zoti të ndodh edhe një herë ndonjë përmbytje, atëherë i bie që qytetarët jo që do të duhet të presin, por derisa ndodhin këto mbushje, zbrazje, të hyra, të dala dhe deri sa të vijë radha që qeveria ta bëjë pagesën, atje çdo gjë do të shkojë dëm”, - tha Bitian Kitev nga LSDM.
Me rebalancin e dytë të buxhetit, qeveria parasheh të sigurojë rreth 36 milionë euro për të kompensuar dëmet nga përmbytjet, përkatësisht parashihet 2.240 milionë denarë, si rezervë e përhershme, për tejkalimin e pasojave nga fatkeqësia natyrore. Me këtë rebalanc, përkatësisht me sigurimin e mjeteve shtesë, bëhet edhe revidimi i deficitit buxhetor në nivel 4% të BPV-së.
SHPËTIM NUREDINI
