Botë

Takimi Obama-Putin, nuk ka marrëveshje ShBA-Rusi për Sirinë

05.09.2016 18:23

Nuk ka marrëveshje ShBA-Rusi për angazhim të përbashkët për t’i dhënë fund konfliktit disavjeçarë në Siri...

Presidenti amerikan, Barack Obama, pas takimit tha se takimi me presidentin rus, Vlladimir Putin, në Samitin e G20-tës në Kinë ishte “efikas”. Por, dy liderët nuk kanë vendosur për ndonjë veprim konkret, përveçse janë pajtuar për t’u dhënë instruksione diplomatëve që të vazhdojnë përpjekjet gjatë ditëve të ardhshme për arritjen e marrëveshjes, që do të çonte në ndalje të qëndrueshme të armiqësive.
 
Obama ka theksuar se me këtë marrëveshje duhet të lejohet dërgimi i ndihmave humanitare për civilët që po vuajnë. Obama ka tërhequr vërejtjen se aktualisht në Siri, ku qeveria e Damaskut, që është aleate e Moskës, po i bombardon forcat opozitare “të pandëshkuara”, po forcohet aftësia e grupeve ekstremiste për të rekrutuar anëtarë të rinj. 
 
Obama tha se me Putinin ka biseduar edhe për Ukrainën dhe për urgjencën e implementimit të Marrëveshjes së Minskut. Ai tha se ia ka bërë të qartë liderit rus se derisa kjo marrëveshje të mos implementohet, Uashingtoni nuk do t’i tërheq sanksionet. Obama vlerësoi se takimi me Putinin ishte “konstruktiv, por jo vendosës”.