Botë

Merkel nuk tërhiqet: Vendimi për refugjatët, i drejtë

05.09.2016 21:00

Humbja e së dielës në një shtet verilindor në zgjedhjet rajonale i ka kushtuar shumë Angela Merkelit...

Aleatet e partisë CDU kanë kërkuar menjëherë që kancelarja të rishikojë politikën e saj të refugjatëve për të rifituar siç e kanë cilësuar ata “besimin tek zgjedhësit”. Edhe vetë kancelarja u shfaq tepër e pakënaqur nga rezultati.
 
“Të gjithë na duhet të mendojmë sesi të rifitojmë besimin, e mbi të gjitha kjo është detyra ime. Duket qartazi që rezultati i zgjedhjeve në atë shtet ka të bëjë me politikën e refugjatëve. Por unë vazhdoj të besoj se vendimet e marra ishin të drejta dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë mbi to”, deklaroi Merkel.
 
Kritikët e kanë cilësuar si poshtëruese humbjen e Merkel, pikërisht në bastionin e saj. Alternativa tjetër politike, AFD vijon trumpeton me politikat anti-emigrantë dhe ka fituar zemrat e të gjithë atyre që kanë shqetësim mbi sigurinë e brendshme në vend.
 
Përfaqësuesi i Alternativës për Gjermaninë në shtetin verilindor tha se ky është fillimi i fundit të Angela Merkel. Mbështetësit e partisë kanë manifestuar gjatë fitoren e pabesueshme për ta./Top Channel