Maqedoni
Enti Hidrometeorologjik: Kujdes ditët e ardhshme, vazhdon moti me shi
06.09.2016 15:02
Pas një nate të kaluar me shi, Enti Hidrometeorologjik nuk sjell lajme të mira...

Shiu do të vazhdojë deri në fund të javës. Sasi më të mëdha të reshjeve priten në pjesët perëndimore dhe jugore të vendit rreth 40 litra në metër katrorë.
“Moti nesër pritet të jetë kryesisht me vranësira, reshje të shiut dhe me bubullima në pjesët jugperëndimore të vendit, dhe erë në pjesët jugore dhe juglindore. Në zonat e Shkupit do ketë reshje të kohëpaskohshme të shiut me intensitet të ndryshueshëm dhe gjatë orëve të mbrëmjes priten reshje me intensitet më te ulët”,- deklaroi meteorologia, Lena Jovanovska.
Nga e enjtja do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm me vranësira dhe me shi, ndërsa në orët e pasdites edhe mot jostabil. Gjatë vikendit pritet përmirësim i motit me periudha të diellit, shi të kohëpaskohshëm dhe me bubullima të rralla.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
