Maqedoni
Dëmet nga vërshimet, nesër skadon afati shtesë për paraqitje
06.09.2016 15:33
Nesër skadon afati i fundit që e caktoi Qeveria për paraqitjen e dëmeve të shkaktuara në pronat e patundshme...

Nesër skadon afati i fundit që e caktoi Qeveria për paraqitjen e dëmeve të shkaktuara në pronat e patundshme, të tundshme, automjetet motorizuese, sipërfaqet bujqësore dhe fondin e kafshëve nga vërshimet që ndodhën më 6 gusht.
Paraqitja e dëmeve vlen për të vërshuarit nga vendbanimet Hasanbeg, Stajkovc, Inxhikovë, Ekonomi, Çento, Brnjarc, Straçincë, Viniçe, Creshevë, Bullaçan, Rrugën e Rashtakut, Haraçinë, Ilinden, Shuto Orizarë dhe Shipkovicë.
Të gjithë personat nga këto vendbanime, të cilët ende nuk i kanë paraqitur dëmet nga vërshimet, nesër përfundimisht me fundin e orarit të punës, në orën 16:30, këtë mund ta bëjnë në komunat Gazi Babë, Haraçinë, Ilinden, Shuto Orizarë dhe Tetovë, por edhe në njësitë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave në Gazi Babë dhe Tetovë.
Qeveria, me kërkesë të qytetarëve të dëmtuar, njëherë e prolongoi afatin përfundimtar për paraqitjen e dëmeve nga vërshimet.
