Maqedoni

Ambasadori Garet: Zgjedhjet shumë të rëndësishme, pres të zbatohen

06.09.2016 16:01

Ambasadori britanik në Maqedoni, Çarls Garet, nuk ka dashur të shprehet si optimist apo jooptimist lidhur me parashikimet...

Ambasadori britanik në Maqedoni, Çarls Garet, nuk ka dashur të shprehet si optimist apo jooptimist lidhur me parashikimet e tij për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, por, sipas tij, zgjedhjet e caktuara më 11 dhjetor janë shumë të rëndësishme për Maqedoninë dhe beson se ato do të zbatohen.
 
“Nuk do ta përdorja epitetin optimist apo pesimist lidhur me parashikimet e mia për zgjedhjet, do të thosha se jam shumë i kënaqur që u arrit marrëveshje. Ajo prapashtesë të cilën unë do ta përdorja lidhur me zgjedhjet e caktuara për më 11 dhjetor është se janë shumë të rëndësishme për Maqedoninë dhe me të vërtetë mendoj se do të zbatohen",- deklaroi ambasadori i Britanisë në Maqedoni, Çarls Garet.
 
Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi, pranoi se dikasteri që drejton ai ka pranuar njoftimin nga KShZ se njësia zgjedhore numër 6 e tejkalon pragun e paraparë,  i cili sipas nenit 4 të Kodit zgjedhor nuk duhet të kalojë -+5% në raport me numrin e përgjithshëm të votuesve në njësitë zgjedhore. Ai nuk sqaroi se si do të veprohet me këtë njësi zgjedhore, duke paralajmëruar shpjegim gjatë ditëve në vijim.
 
“KShZ deri te Ministria e Drejtësisë e ka dërguar listën zgjedhore. Ditët në vijim do të njoftojë opinionin për hapat e mëtutjeshëm, për hapat që do t’i ndërmerr lidhur me këtë çështje”,- tha ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi.
 
Këto komente ambasadori Garet dhe ministri Xhaferi i bënë pas nënshkrimit të një memorandumi për bashkëpunim e që ka për qëllim forcimin e kapaciteteve të sistemit gjyqësor në Maqedoni. Sipas ambasadorit Garet, Maqedonisë i nevojitet një sistem gjyqësor tek i cili do të besojnë të gjithë.
 
“Nëse punoni në kuadër të sistemit gjyqësor, kjo do të jetë mundësi të jepni kontribut personal në përforcimin e parimeve kyçe si konsekuencë, koherencë, siguri juridike, parashikueshmëri dhe transparencë. Secili në vend ka interes nëse kemi sistem më të fuqishëm gjyqësor, pasi kjo është me rëndësi kyçe për ndërtimin e demokracisë së fuqishme, shoqërisë së drejtë dhe ekonomisë. Sistem më i fuqishëm gjyqësor do të thotë Maqedoni më e fuqishme”,- theksoi ambasadori i Britanisë në Maqedoni, Çarls Garet.
 
Sipas tij, gjyqësia është gurthemel për cilëndo demokraci, ndërsa sistemi gjyqësor, ku opinioni mund të besojë dhe i cili siguron llogaridhënie kur janë shkelur ligjet dhe punon në interes të të gjithëve, është me rëndësi kyçe për zhvillim të demokracisë, si dhe bazë për një ekonomi të fuqishme.
 
NAIM RAMADANI