Maqedoni

Skandali i radhës i AShAM-it, Fiti: Shën Tereza ishte nga një familje e përzier etnike

06.09.2016 16:35

Në kuadër javës kushtuar shenjtores Nënë Terezë, AShAM organizoi një akademi solemne, ku përveç përkujtimit të veprës së saj të padiskutueshme...

Në kuadër javës kushtuar shenjtores Nënë Terezë, AShAM organizoi një akademi solemne, ku përveç përkujtimit të veprës së saj të padiskutueshme, kryetari i AShAM-it dha edhe një tjetër deklaratë skandaloze mbi prejardhjen e Nënë Terezës.
 
“Shkupi është simbol i marrëdhënieve të shkëlqyera ndëretnike dhe këtë e tregoi edhe fakti që Nënë Tereza lindi në një familje të përzier etnike”,- tha Fiti.
 
“Jeta e Nënë Terezës dëshmon se në hapësirat tona kanë jetuar në paqe, tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë njerëzit me përkatësi të ndryshme fetare dhe etnike. Ajo rrjedh nga një familje me prejardhje të përzier nacionale. Mesazhet e thella humane nga vepra dhe angazhimi i Nënë Terezës sot duhet të jenë të thurura në të gjitha segmentet dhe poret e jetës sonë, në jetën e zakonshme, në shkencë, kulturë, politikë e kështu me radhë”,- deklaroi kryetari i AShAM-it, Taki Fitit.
 
Edhe ipeshkvi i Shkupit e përmend Shën Terezën pa ia përmendur prejardhjen etnike, edhe përkundër faktit që Vatikani familjen e saj shqiptare e potencoi që në rreshtin e parë gjatë ceremonisë së shenjtërimit.
 
“Nënë Terezën nuk do ta harrojë Shkupi, vendlindja e saj... Jam i bindur se në vendin ku ajo ka kontribuar, në Kalkutën e saj, gjithmonë do të kujtohet Shkupi,  vendi ku ajo lindi”,- tha ipeshkvi i Shkupit dhe ekzark apostull, Kiro Stojanov.
 
Por, pa marrë parasysh deklarimet e akademikëve dhe politikanëve maqedonas, bota e mbarë e dëgjoi të dielën biografinë e saj.
 
Nënë Tereza ka lindur më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup, në një familje tradicionale shqiptare, nga nëna Drane dhe babai Nikollë.
 
Janë këta dy emra tipikë të katolikëve shqiptarë, që po keqpërdoren tashmë nga politika dhe qarqet akademike maqedonase, vetëm e vetëm për të minimizuar faktin se shqiptarët i dhanë këtij shteti jo vetëm dy nobelistë, por tani edhe një shenjtore. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU