Maqedoni
Banorët e Ramanlisë në protesta, kërkojnë vendosjen e pengesave rrugore
06.09.2016 16:49
Siguria në trafik ka qenë shkas që banorët e fshatit Rramanli të Kumanovës të bllokojnë rrugën kryesore të fshatit përmes një proteste....

Ata nga autoritetet komunale kërkojnë urgjentisht vendosjen e pengesave rrugore për të mos zhvilluar shpejtësi të madhe makinat dhe për shmangien e aksidenteve, në të cilat kryesisht pësojnë banorët vendor.
“Protestojmë që sa më shpejtë të vihen pengesa rrugore, sepse shumica e njerëzve hyjnë në fshatin tonë që t’i ikin autostradës, vozisin shpejt, ku deri tani kemi 5 apo 6 aksidente shkaku i shpejtësisë, gjithashtu kemi një aksident të rëndë, i cili ndodhi para dy dite, u shtyp një djalë i ri, ku shoferi ka ikur. Kjo bllokadë bëhet edhe për atë se ne si Bashkësisë Lokale kërkojmë që sistemi i ujësjellësit të fshatit të kalojë në kompetenca të komunës, si dhe kërkojmë ndërtimin e rrjetit të kanalizimit të fshatit pasi që na është premtuar”,- deklaroi kryetari i Bashkësisë Lokale në Rramanli, Orhan Ahmeti.
“Unë banoj këtu poshtë. Për të dalë nga shtëpia duhet të pres një orë shkaku i kolonave, si makina, kamionë nga Ohri, Strumica, Beogradi e Smedereva, gjithë kalojnë këndej. Mandej ujë nuk kemi, kanalizim nuk kemi”,- theksoi një banor i fshatit Rramanli.
Rruga kryesore e fshatit Rramanli është shumë e frekuentuar, pasi që të gjithë ata vozitës që dëshirojnë t’i shmangen pagesës në pikëpagesën rrugore kalojnë nëpër këtë fshat për t’u kyçur në autostradën për në Shkup. Pikërisht për këtë arsye, banorët do të protestojnë çdo ditë që prej orës 6:00 të mëngjesit.
NEXHAT AQIFI
