Botë
Alepo, bomba me gaz klori, një i vdekur, Asad mohon sulmin
07.09.2016 11:56
Forcat qeveritare siriane akuzohen se kanë përdorur gaz klorin gjatë sulmit mbi një lagje të qytetit të Alepos të kontrolluar nga rebelët...

Aktivistë lokalë thonë se, helikopterë qeveritarë lëshuan mbi banorët e lagjes lindore të “al-Sukharit” bomba të mbushura me elementin toksik, që vranë të paktën një person.
Të prekurit janë gati 100, shumë prej tyre fëmijë. Simptomat e personave të paraqitur për ndihmë në spital ishin të njëjta me ato të përjetuara edhe në të kaluarën nga sulme me bazë klorin.
Një hetim i OKB-së muajin e kaluar doli në përfundimin se qeveria siriane e kishte përdorur gazin klorin në të paktën dy raste, por regjimi i Bashar al-Assadit e mohon me forcë të ketë përdorur ndonjëherë armë kimike gjatë konfliktit të mundimshëm 5-vjeçar.
Por, edhe pa përdorimin e mjeteve të tilla, gjendja në Alepo është shumë e vështirë. Para pak javësh kjo lagje e Alepos kontrollohej nga rebelët, sot është në kontroll të ushtrisë siriane. Në këtë lagje, dikur të zhurmshme, tani jeton vetëm familja Husein.
“Në këto shtëpi është gjaku, mundi dhe djersa jonë. Mendonim që fëmijët të na martoheshin e t’i bënin fëmijët e tyre në këtë lagje të bukur. Por, ne sërish do ta rindërtojmë. Nuk iki që këndej, rrënjët e mia janë këtu”,- deklaroi banorja e Alepos, Uma Al-Hussein.
Husein dhe Raha janë vëllezër, 6 dhe 12 vjeçar. Lufta ua mori familjarët, shokët edhe lodrat, kanë mbetur vetëm me nënën. Shtëpia e tyre është ndër të paktat që nuk është shkatërruar tërësisht. Energji elektrike nuk ka, ujin e marrin tre lagje më tej, orenditë e shtëpisë ka kohë që i kanë djegur për t’u ngrohur.
“Po kërkoj arushin tim. Unë kisha tre arushë dhe një top në dhomën time”,- tha Hussein Al-Hussein, 6 vjeç.
“Gjeta këtë librin, ishte i babait tim, ai vdiq në një sulm. Gjeta edhe këtë çantë dhe shallin e gjyshes. Edhe ajo vdiq para dy muajve”,- theksoi Rava Al-Hussein, 12 vjeç.
Të mbeturve në Alepo u ka mbetur vetëm shpresa, marrëveshja për paqe të qëndrueshme është ende larg.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
