Maqedoni

Rrëzimi i aeroplanit në Kozhle, mediat italiane publikojnë emrat e udhëtarëve

07.09.2016 12:47

Pas rrëzimit të aeroplanit privat me shenja kombëtare gjermane, dje pasdite në afërsi të fshatit Kozhle të Velesit...

Pas rrëzimit të aeroplanit privat me shenja kombëtare gjermane, dje pasdite në afërsi të fshatit Kozhle të Velesit, ku humbën jetën gjashtë udhëtarë, në terren është ekipi i Komitetit për hulumtim të aksidenteve ajrore dhe incidenteve serioze si dhe Prokuroria Publike nga e cila grumbullohen të dhënat dhe faktet relevante në drejtim të verifikimit të shkaqeve për aksidentin.

Siç njoftuan mediat italiane, aeroplanin privat e ka drejtuar piloti, Francesko Montanjer, kryetar i aeroklubit amater sportiv "Trevizo".

Me të ka qenë edhe nënkryetari i klubit, Dario Bastasin, si dhe Luka Sale Mule, Angelo Kalegari, si dhe Ilaria Bertio dhe Visar Begaj nga Kosova, të cilët kanë pasur edhe shtetësi italiane.

Grupi ka planifikuar të udhëtojë për në Prishtinë për biznes, si dhe për aktivitete lidhur me aeroklubin "Trevizo". 

Mbi Maqedoni është dashur të kalojë dhe është paraqitur në Aeroportin "Aleksandri i Madh"-Shkup për t'u furnizuar me derivate.

“Ajo që deri tani është e sigurt është se tre aeroplanë kanë arritur, ndërsa një është rrëzuar me siguri për shkak të kushteve të këqija të motit",- deklaroi Mauricio Patueli nga aeroklubi "Trevizo", transmetojnë mediumet italiane, sipas të cilëve aeroplani i ka pasur të gjitha lejet për fluturim.

Kushtet e motit për fluturimin e aeroplanit të rrëzuar, shkruajnë mediumet, kanë qenë të këqija, me shi, erë dhe dukshmëri të zvogëluar.

Në vendin e rrëzimit të aeroplanit të parët u paraqitën banorët lokal të cilët kanë dëgjuar shpërthim dhe kanë parë zjarr.

Zhdukjen e aeroplanit nga radarët dje pasdite në orën 17:40 në MPB e ka paraqitur Kontrolli për fluturime në aeroportin e Shkupit.