Botë
Paris, arrestohet një person për terrorizëm, në makinë iu gjetën 7 bombola gazi
07.09.2016 14:06
Policia franceze ka zbuluar një makinë të mbushur me “bombola gazi” në një nga pikat kryesore turistike në vend pranë katedrales së “Notre Dame”...

Autoritetet e Parisit kanë arrestuar një person nga “lista vëzhguese e terrorizmit”, pasi makina e tij u gjet pranë katedrales me shtatë bombola gazi brenda.
Makina “Peugeot 607” është gjetur me sinjalet që paralajmërojnë rrezik, ndezur dhe pa targa, tha policia. Një nga bombolat në sediljen e parë të pasagjerit, ishte bosh dhe disa dokumente me shkrim në gjuhën arabe janë gjetur gjithashtu brenda makinës.
Policët thonë se dritat e bllokazhit mund të ishin ndezur për të tërhequr vëmendjen.
“Mendojmë se ai mund të ketë qenë duke u përpjekur të kryente një test”,- tha një zyrtar i policisë.
U arrestua gjithashtu edhe një bashkëpunëtor i pronarit të makinës, i njohur për policinë. Sipas mediave franceze, janë arrestuar edhe një sërë personash të tjerë, por nuk dihet numri i saktë.
Në Francë është ende në fuqi gjendja e emergjencës, e vendosur që prej sulmeve të nëntorit të kaluar në Paris.
Që prej asaj kohe, edhe 84 persona të tjerë humbën jetën kur një kamion i drejtuar nga Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, edhe ky i frymëzuar nga ISIS, u përplas me një turmë njerëzish në qytetin jugor të Nicës, në korrik, të mbledhur për festimet e Ditës së Bastijës.
Edhe në nëntor, 130 persona humbën jetën në Paris pas një serie sulmesh terroriste të ndërmarra nga i ashtuquajturi “Shtet Islamik”.
Dje CNN citoi burime të shërbimeve sekrete, se ISIS kishte planifikuar që kasaphana të njëjta si ajo e Parisit të ndodhnin në të njëjtën kohë edhe në Holandë dhe Britani.
Dokumentet hedhin dritë mbi një degë të mirëorganizuar të ISIS-it, e gatshme për të kryer sulme në Europë, e që është aktive edhe tani, por që vepron duke marrë udhëzime nga liderët e vjetër të organizatës në Siri.
BELINDA KOKA-ADEMI
