Maqedoni

Taki Fiti merr përgjigje për Shën Terezën, Hasani i dhuron një katalog mbi identitetin e saj

07.09.2016 15:21

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, Taki Fiti, i cili Nënë Terezën e cilësoi me prejardhje të përzier etnike, mori përgjigjen që meritonte...

Drejtori i Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, Skender Hasani, i dhuroi Taki Fitit një katalog me të dhëna mbi identitetin e saj kombëtar.  
 
“Dëshiroj që kryetarit të AShAM-it t’ia dhuroj një katalog me dokumente, i cili ka të bëjë me aspektin identitar, humanitar dhe paqësor në të cilin ka qenë veprimtaria e Nënë Terezës prej lindje deri në vdekje. Ju faleminderit, por pastaj do ta jap këtë katalog”,- tha drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani.
 
Ai e ka quajtur deklaratën e djeshme të kreut të AShAM-it si vazhdimësi e provokimeve nga qarqe të caktuara që rinisën, sipas tij, sidomos pasi Vatikani  potencoi fuqishëm prejardhjen shqiptare të Nënë Terezës. 
 
“I ka shqetësuar tej mase ekspozita që e kemi bërë për origjinën e saj, për veprimtarinë e saj humanitare dhe paqësore në botë, edhe thëniet pastaj të Papës së Romës, dhe këta janë të shqetësuar nga aktivitetet të cilat kanë planifikuar t’i bëjnë pas shenjtërimit të Nënë Terezës. Filloi me kryetarin e AShAM-it, i cili bëri një punë shumë të keqe, sepse AShAM-i është distancuar nga Enciklopedia e Maqedonisë, ndërsa ai dje e riktheu dhe e zyrtarizoi Enciklopedinë e Maqedonisë. Nuk është vetëm kjo, këto ditë do të pasojnë edhe manifestime të tjera, ku meshën në gjuhën shqipe është planifikuar ta bëjë një prift nga Beogradi dhe jo biografi i saj, Dom Lush Gergji, apo ndonjë prift nga Kosova dhe Shqipëria. Këto janë planifikuar mirë, po ne ju kemi dhënë nga Shkupi përgjigjen për identitetit e Nënë Terezës”,- deklaroi drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani.
 
Ndaj deklaratës së kreut të AShAM-it kanë reaguar edhe anëtarët shqiptarë, si nënkryetari i ASHAM-it, Luan Starova, anëtari i kryesisë, Alajdin Abazi, anëtari i rregullt, Abdylmenaf Bexheti, dhe anëtari korrespondent, Izet Zeqiri. Ata janë distancuar nga fjalimi i Taki Fitit, të cilin e kanë cilësuar si vazhdimësinë e tendencës për përvetësimin e figurës së Nënë Terezës.
 
“Askush nuk mundet të paracaktojë përkatësinë etnike të kujtdo qoftë, e aq më pak të figurës së Shën Terezës, kur ajo vetë në testamentin e saj përcakton për nga gjaku përkatësinë shqiptare. Fatkeqësisht, nuk është hera e parë që AShAM-i vihet në shërbim të politikës ditore”,- thuhet në njoftimin e akademikëve shqiptarë.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU