Maqedoni

Skadoi afati për paraqitjen e dëmeve, banorët: procesi po ecë shumë ngadalë

07.09.2016 15:34

Skadoi afati shtesë për paraqitjen e dëmeve materiale nga vërshimet e 6 gushtit...

Të gjithë ata që i kanë paraqitur dëmet e pronës së tundshme e të patundshme, dëmet në automjetet motorike, sipërfaqen e dëmtuar bujqësore dhe dëmet në bagëti do të duhet të kompensohen tërësisht.
 
Por, banorët e Hasanbegut akuzojnë se procesi për dëmshpërblimin e plotë vijon ngadalë.
 
Presin të hollat për të meremetuar sadopak shtëpitë e dëmtuara para se të fillojë dimri. 
 
“Procesi po vijon shumë ngadalë. Dëmet materiale i kemi paraqitur dhe kemi marrë 30 mijë denarë, por tani puna ka mbetur ashtu. Kaluan një muaj e më shumë dhe akoma nuk është bërë diçka për dëmshpërblimin e plotë, kemi mbetur rrugëve. Unë kam mbetur pa shtëpi, nuk jetoj këtu. Fëmijët prej Shkollës Fillore “25 maji” i regjistrova në Butel dhe bashkë me ta banojmë në Butel. Këtu vij çdo ditë dhe gjithë ditën pres mos ka diçka për ne”.
 
“I kemi paraqitur dëmet materiale, tani u ndala veç për ta parë listën e kompensimit të dëmeve. Fillimisht kam nevojë të rregulloj shtëpinë, dyshemenë, ta shtroj me laminat dhe të hyjmë brenda me familjen, se kemi një muaj që jetojmë jashtë shtëpisë tonë”.              
               
“Po, i kemi paraqitur dëmet materiale, por askush nuk na tregon kur do të dëmshpërblehemi”.- kështu u shprehën për TVM2 banorët e zonave të përmbytur nga vërshimet e 6 gushtit.                      
           
Afati shtesë për paraqitjen e dëmeve materiale ishte për banorët te të cilët komisionet për regjistrimin e dëmeve materiale në terren nuk arritën për arsye të ndryshme të bëjnë regjistrimin e shtëpive.
 
Në afatin e fundit atyre u mundësua që dëmet materiale t’i paraqesin drejtpërsëdrejti në komunat e Gazi Babës, Haraçinës, Ilindenit, Shuto Orizarës dhe në Tetovë.
 
Komunat në fjalë tani duhet t’i dorëzojnë paraqitjet e reja deri te Komisioni për regjistrimin e dëmeve dhe mëndej të njëjtat të shqyrtohen.
 
Nga Qeveria vlerësojnë se ky proces është duke u përmbyllur me sukses dhe se të gjithë do të kompensohen. 
 
Nga vërshimet e 6 gushtit u dëmtuan mbi 5 mijë shtëpi dhe dëme të mëdha u shkaktuan edhe në infrastrukturë. 
 
REXHEP QAMILI