Maqedoni

Eurointegrimet, diskutohen në një tryezë shkencore arritjet dhe ngecjet

07.09.2016 15:57

Ndonëse gjatë 25 viteve të fundit Maqedonia ka shënuar hapa të rëndësishëm drejt transformimit të saj...

Ndonëse gjatë 25 viteve të fundit Maqedonia ka shënuar hapa të rëndësishëm drejt transformimit të saj, por akoma nuk është realizuar qëllimi strategjik, anëtarësimi në BE dhe NATO, ka vlerësuar zëvendëskryeministri, Arbër Ademi.
 
Por, Ylber Sela thotë se Maqedonia, nga një vend lider, është kthyer në vend i fundit në rajon në proceset euroatlantike. 
 
“RM gjatë këtyre 25 viteve të fundit ka bërë hapa të rëndësishëm drejt transformimit të saj, drejt demokratizimit të saj. Një numër i madh i akteve juridike u transponuan në sistemin juridik të RM-së, gjithashtu një numër i konsiderueshëm i reformave dhe projekteve u realizuan në RM, por a është kjo e mjaftueshme, gjithsesi se jo. Qëllimi ynë strategjik ende nuk është realizuar, e ajo është anëtarësimi në BE dhe NATO”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Arbër Ademi.
 
“Ne të gjithë jemi dëshmitarë se Maqedonia ka qenë lider për sa u përket integrimeve euroatlantike, por sot e shohim që Maqedonia po mbetet vendi i fundit bashkë me Bosnjën, dhe për këtë përgjegjës janë liderët, qeveritarët, politikbërësit këtu në Maqedoni, të cilët kanë kanosur që shteti të gjendet në të cilën ndodhet sot”,- tha panelisti, Ylber Sela.
 
E kaluara obligon forcat politike ta kthejnë vendin në binarët e duhura, vlerëson akademiku, Vllado Kambovski, ndërsa Skender Hasani nga ITShKSh moszbatimin e reformave sipas MO-së e sheh si pengesë drejt zhvillimit të saj.
 
“Një e kaluar që i obligon të gjithë aktorët dhe në veçanti politikanët dhe partitë politike, të cilët ndodhen para një detyre të madhe për ta zgjedhur krizën politike, e cila dy vitet e fundit  ka shpjerë deri në rënien e imazhit të Maqedonisë deri në një shkallë të izolimit ndërkombëtar dhe deri në konstatime se është ndërprerë procesi integrues dhe gjithë këtë ta bëjnë duke respektuar një detyrim elementar ndaj qytetarëve të tyre”,- tha akademiku, Vllado Kambovski.
 
“Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, me garanci ndërkombëtare u mëtua të hapen perspektivat e vendit. Por, partitë politike në vend të implementimit korrekt deri në fund të MO-së, ato neglizhuan dhe po vazhdojnë ta neglizhojnë atë marrëveshje, me çka Maqedonia po has në pengesa serioze drejt zhvillimit të saj politik”,- tha drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani.
 
Komentet u bënë në konferencën kushtuar marrëveshjeve ndërkombëtare nga shekulli XIX deri në shek XXI. 
 
NAIM RAMADANI