Maqedoni
Rrëzimi i avionit, viktima pesë italianë dhe një shqiptar nga Kosova
07.09.2016 16:36
Vetëm disa pjesë kanë mbetur nga avioni privat “Piper”, i cili pasditen e së martës humbi kontrollin dhe u rrëzua dy kilometra larg fshatit Kozhle në zonën e Velesit...

Në avion gjendeshin gjashtë persona, pesë italianë dhe një shqiptar i Kosovës me nënshtetësi italiane.
Ai është Visar Begaj, që bashkë me miqtë e tij italianë, ishte nisur drejt Kosovës, ku do të hapnin qendrën e aeronautikës në Istog.
Viktimat italianë janë: Françesko Montanjer, Dario Bastasin, Lluka Dale Mule, Angelo Kalegari dhe Ilaria Bertio.
Kontrollorët e fluturimit humbën lidhjen me avionin dhe pas alarmit të parë edhe banorët lokalë lajmëruan për një shpërthim të dëgjuar në afërsi të fshatit të tyre.
“Në orët e hershme të mëngjesit u mobilizuan dhe angazhuan ekipet që ta realizojnë hetimin e vendit të ngjarjes, prokurorët publik dhe përfaqësuesit e krim-teknikës pranë MPB-së. Nuk mund të japim më shumë informacione, por punohet në drejtim të sigurimit të dëshmive dhe shkaqeve të fatkeqësisë së avionit dhe vdekjes së udhëtarëve”,- deklaroi drejtori për siguri publike pranë MPB-së, Mitko Çavkov.
Deri më tani nga hetimet në terren janë gjetur pjesë të avionit, krahut me një gomë, kuti elektronike metalike, dy telefona celularë, karta udhëtimi dhe një pasaportë italiane. Prokuroria publike po heton vendin e aksidentit për të zbuluar shkaqet e tij.
“Incizimet nga droni do të ndihmojnë për të vërtetuar dinamikën e udhëtimit të aeroplanit, si dhe zbulimin e mënyrës se si ka ndodhur aksidenti. Në Prokurorinë Publike po merren në pyetje edhe dy pilotë nga Italia, të cilët kanë qenë me dy aeroplanë tjerë dhe kanë ateruar në aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup”,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.
Avioni paralajmëroi ulje në Shkup për t’u mbushur me kerozinë dhe ishte pjesë e një grupi avionësh komercialë. Dy të tjerët u ulën të sigurt në aeroportin “Aleksandri i Madh”.
SANIJE DURAKU
